Transmetuar më 04-06-2026, 17:14

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dolën në një konferencë për mediat në Korçë për të dhënë detaje mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Lozhan të Maliqit, ku humbi jetën efektivi i policisë Enea Mekolli dhe mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri.

Sipas Hitës, operacioni për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari u organizua nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, e cila kishte siguruar informacionin operacional dhe kishte hartuar planin e ndërhyrjes pa kërkuar mbështetje shtesë nga strukturat qendrore.

Kryepolici bëri të ditur se në aksion morën pjesë rreth 40 efektivë policie, të pajisur me mjete mbrojtëse, përfshirë jelekë antiplumb dhe struktura të specializuara operacionale. Megjithatë, ai sqaroi se arma automatike e përdorur nga autori i dyshuar depërtoi mbrojtjen balistike, duke shkaktuar pasojat tragjike.

“Kanë qenë 40 forca policie në operacion, të pajisura me të gjitha kushtet mbrojtëse. Arma e përdorur nga autori ishte një armë automatike, e cila depërtoi jelekun antiplumb”, deklaroi Hita.

Ai njoftoi gjithashtu se ka urdhëruar nisjen e një hetimi disiplinor nga strukturat përgjegjëse për të verifikuar procedurat e ndjekura gjatë operacionit dhe për të kuptuar arsyet pse nuk është kërkuar mbështetje nga forcat speciale.

Hita konfirmoi se po ndiqen procedurat për vlerësimin e efektivit të ndjerë me statusin “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa theksoi se Policia e Shtetit do të qëndrojë pranë familjes së tij.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari shprehu ngushëllimet për familjen e efektivit të rënë në krye të detyrës dhe konfirmoi mbështetjen institucionale për të afërmit e tij, si edhe për efektivin e plagosur Edison Adri, i cili po trajtohet në spital.

Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë dhe ato administrative vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes që tronditi Policinë e Shtetit dhe opinionin publik.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit