

MALIQ – Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Maliq, ku një efektiv policie humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur gjatë një përplasjeje të armatosur.
Efektivi i plagosur, Edison Adri, ndodhet i shtruar në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar mjekësor. Burime spitalore bëjnë me dije se 36-vjeçari iu nënshtrua një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale në zonën e nofullës.
Sipas mjekëve, pas operacionit gjendja shëndetësore e efektivit paraqitet stabël dhe ai vijon të mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.
Ndërkohë, në të njëjtin spital po merr trajtim mjekësor edhe autori i dyshuar i ngjarjes, Violand Braçellari. Mësohet se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por do të vazhdojë të qëndrojë i shtruar për të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor për plagët e pësuara gjatë incidentit.
Për shkak të natyrës së rëndë të ngjarjes, ndaj Braçellarit janë vendosur masa të rrepta sigurie nga Policia e Shtetit në ambientet e spitalit.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë ngjarje të rëndë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






