

TIRANË – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur nën sekuestro preventive një vilë luksoze dykatëshe në Dhërmi, e cila dyshohet se është pronë indirekte e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e përfituar përmes aferave korruptive.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK-ut, vendimi për masën e sigurimit pasuror është marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë me kërkesë të prokurorisë, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025. Balluku, e cila fillimisht ishte marrë e pandehur për "Shkelje të barazisë në tendera", tashmë po hetohet edhe për dy akuza të tjera tejet të rënda: "Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Pastrim i produkteve të veprës penale" kryer në bashkëpunim.
Pasuria e sekuestruar në resortin luksoz
Objekti i sekuestruar nga SPAK-u është një vilë individuale dykatëshe (Tip Begonia, me numër F6) e pozicionuar në resortin turistik “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut, bashkia Himarë. Vila ka një sipërfaqe ndërtimi prej 103 metrash katrorë (kati përdhe 54 m2 dhe kati i parë 49 m2), si dhe një verandë prej 34 metrash katrorë, e shtrirë në një parcelë të rrethuar me sipërfaqe jo më pak se 300 metra katrorë ku përfshihet edhe vendparkimi.
Sipas kontratës së porosisë të datës 5 dhjetor 2018, vlera e kësaj pasurie të paluajtshme kap shifrën e 145,000 eurove, e cila dyshohet se ka qenë ryshfeti i marrë nga Balluku në këmbim të favorizimit të kompanisë ndërtuese.
Tenderat e Albcontrol-it dhe skema e ryshfetit
Hetimet e SPAK-ut kanë zbuluar se kjo vilë është përfitim i parregullt që Belinda Balluku ka kërkuar dhe marrë gjatë kohës që ushtronte funksionin e Drejtores së Përgjithshme të shoqërisë shtetërore "Albcontrol" sh.a.
Në dosje evidentohen shkelje të rënda ligjore në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve” me fond limit rreth 88.6 milionë lekë, si dhe në një shtesë kontrate me vlerë mbi 14.1 milionë lekë pa TVSH.
Nga këqyrja e provave digjitale dhe metodave speciale të hetimit, rezulton se Balluku në bashkëpunim me Evis Berberin (në atë kohë Shef i Sektorit të Prokurimeve në Albcontrol) dhe anëtarët e njësisë së prokurimit (S.P., E.N. dhe A.M.), kanë paracaktuar kriteret duke krijuar avantazhe të padrejta për shpalljen fituese të kompanisë “Eurocol” sh.p.k., e cila ishte edhe zhvilluesja e resortit në Dhërmi. Favorizimi ka vijuar edhe pas shpalljes fitues, duke i kaluar kompanisë një parapagim të menjëhershëm prej 50% të vlerës së kontratës.
Kontratat fiktive dhe emrat e përfshirë për fshehjen e vilës
Për të fshehur origjinën kriminale të pronës dhe për të mos dalë emri i saj real, Belinda Balluku dyshohet se ka përdorur emra të tjerë si paravan, konkretisht shtetasin I.T. dhe një vartëse të saj në Albcontrol, shtetasen J.B.
Skema e pastrimit të parave është realizuar fillimisht përmes një kontrate fiktive porosie në dhjetor të vitit 2018, të nënshkruar mes shtetasit I.T. dhe pronarit të kompanisë ndërtuese, shtetasit P.C. Më pas, mekanizmi ka vijuar me hartimin e një kontrate tjetër fiktive qiraje (kontratë dore) në maj të vitit 2022 dhe amendimin e saj në prill të vitit 2024, me qëllim humbjen e gjurmëve të pronësisë reale.
Prokuroria e Posaçme njoftoi se hetimet po vijojnë me intensitet të plotë për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet, si dhe përcaktimin e saktë të përgjegjësive penale për secilin.
Njoftimi
Procedimi penal nr.136/2025 – Sekuestro preventive mbi një pasuri të dyshuar si produkt i korrupsionit. Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet ndaj shtetases Belinda Balluku, e cila aktualisht është marrë e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”*, në bashkëpunim dhe pas kryerjes së veprimeve të mëtejshme hetimore dyshohet gjithashtu për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.
Në vijim të hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr.412, datë 3.6.2026, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasurinë e paluajtshme, në pronësinë indirekte të shtetases Belinda Balluku, që ndodhet në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë.
Sipas rezultateve të deritanishme të hetimit, ekzistojnë dyshime se pasuria e sekuestruar lidhet me përfitimin e parregullt, të kërkuar dhe marrë nga shtetasja Belinda Balluku, në këmbim të favorizimit të operatorit ekonomik, përmes një procedure prokurorimi publik të zhvilluar nga Albcontrol sh.a. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e veprimeve juridike të dyshuara si fiktive, me qëllim fshehjen e origjinës dhe pronësisë reale të pasurisë.
Pasuria e vendosur nën “sekuestro preventive” përbëhet nga një “Vilë individuale dy katëshe tip Begonia me Nr.F6, parcela e rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 300 m2. Vila F6, brenda kësaj parcele, ka një sipërfaqe prej 103m2 (kati përdhe 54 m2 dhe kati i parë mbi përdhe 49 m2). Vila F6 ka edhe verandën 34m2. Vendparkimi ndodhet brenda sipërfaqes së parcelës. [Referuar kontratës së porosisë me nr.1059 rep, nr.650 kol, datë 05.12.2018]
Nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ndjekja e hetimeve me metoda speciale, grumbullimi i provave dixhitale dhe provave të tjera të administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, rezultojnë të dhëna për fakte penale të reja në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, shkronja “b” e Kodit Penal, në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, të Kodit Penal.
Nga aktet e administruara kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundërligjshme të shtetases Belinda Balluku në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt: “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me fond limit 88,651,633 (tetëdhjetë e tetë milion e gjashtëqind e pesëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tre) lekë, si dhe “Shtesë kontrate për ‘Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve’”, me vlerë 14,161,814 (katërmbëdhjetë milion e njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë) lekë pa TVSH.
Në lidhje me procedurën e sipërcituar, rezulton se shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor “Albcontrol” sh.a, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të “Albcontrol” sh.a, në bashkëpunim me shtetasin Evis Berberi, me detyrën e Shefit të Sektorit të Prokurimeve, si dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit S.P., E.N. dhe A.M., kanë kryer veprime të kundërligjshme në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe VKM nr. 1, datë 10.1.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” (i ndryshuar).
Këto veprime lidhen me fazën e përgatitjes së projektit dhe zhvillimit të procedurës, në përcaktimin e kritereve dhe miratimin e dokumenteve të tenderit, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit, operatorin ekonomik “Eurocol” sh.p.k.
Favorizimi i shoqërisë fituese ka vazhduar edhe në momentin e lidhjes së kontratës, duke i ofruar parapagim të menjëhershëm në vlerën 50% të kontratës, si dhe gjatë zbatimit të kontratës dhe shtesës së saj.
Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë “Eurocol” sh.p.k.
Përfitimi i parregullt është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, ku rezulton se në atë kohë shoqëria “Eurocol” sh.p.k. kishte aplikuar dhe ishte pajisur me Lejen Zhvillimore Komplekse nr. 2385/1 prot., datë 27.3.2015, të miratuar me Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 7, datë 7.3.2014, “Për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për resortin turistik në fshatin Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë”.
Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B.
Kështu, rezulton se shtetasja Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë nr. 1059 rep., nr. 650 kol., datë 5.12.2018, të lidhur mes shtetasit I.T dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., shtetasit P.C.
Veprimet e kundërligjshme në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar nga shtetasit Belinda Balluku, I.T dhe J.B, duke kryer veprimin tjetër fiktiv, atë të kontratës së qirasë (kontratë dore), datë 25.5.2022, dhe amendamentin e kësaj kontrate, datë 26.4.2024.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, si edhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse penale.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






