Transmetuar më 04-06-2026, 13:31

Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja tavan të karburanteve, të cilat hyjnë në fuqi këtë të enjte, 4 qershor, në orën 15:30. Sipas metodologjisë së re, çmimi i shitjes me pakicë për naftën (gazoilin) është caktuar jo më shumë se 195 lekë për litër (183 lekë/litër me shumicë), ndërsa për benzinën jo më shumë se 175 lekë për litër (163 lekë/litër me shumicë). Karburanti për sektorin e peshkimit do të tregtohet me 100 lekë për litër, duke përfituar nga përjashtimet ligjore mbi taksën e qarkullimit, karbonit dhe akcizës.

Në njoftim sqarohet se, duke qenë se çmimet e rregulluara janë nën kufijtë e emergjencës të përcaktuar në Aktin Normativ (220 lekë për naftën dhe 200 lekë për benzinën), lehtësimi fiskal prej 80% nuk do të aplikohet. Për rrjedhojë, akciza mbi karburantet do të paguhet e plotë në masën 100%. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë paralajmëruar të gjithë operatorët se moszbatimi i këtyre çmimeve tavan do të ndëshkohet me pezullim të menjëhershëm të aktivitetit tregtar.

Njoftim për Shtyp

Bordi i Transparencës në datë 4 Qershor 2026, në mbledhjen e radhës vendosi: ✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 195 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 183 lekë/litër. ✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 175 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 163 lekë/litër. 🗓️Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 4 ora 15.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. ⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. 🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit. 🛢️ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%. Gazoili për peshkim – çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, ne nenin Neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: …“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit.  Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” te Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizes i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjise së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 100 lekë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit