

LAÇ – Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur qytetin e Laçit në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, 4 qershor. Një sasi e dyshuar tritoi ka shpërthyer në portën e jashtme të një dyqani, duke shkaktuar panik te banorët për rreth, por fatmirësisht pa lëndime në njerëz.
Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit. Objekt i këtij sulmi me lëndë eksplozive ka qenë biznesi në pronësi të shtetasit me iniciale Gj. L. Nga forca e shpërthimit janë regjistruar vetëm dëme të konsiderueshme materiale në fasadën dhe strukturën e jashtme të dyqanit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit nga banorët e zonës, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin së bashku me grupin e ekspertëve hetimorë. Efektivët kanë kryer veprimet e para procedurale, duke këqyrur kamerat e sigurisë rreth zonës dhe duke mbledhur mbetjet e lëndës plasëse për ekzaminime të mëtejshme laboratorike.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, strukturat hetimore kanë vijuar punën përgjatë gjithë paradites për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj, si dhe për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të këtij shpërthimi.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






