

TIRANË – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar me akuza ekstremisht të ashpra ndaj Kryeministrit Edi Rama gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare, duke denoncuar dhunën e ushtruar, sipas tij, gjatë protestës së djeshme të qytetarëve në Tiranë.
Berisha deklaroi para deputetëve se strukturat e rendit kanë përdorur topat e ujit ndaj protestuesve paqësorë, duke mos kursyer as gratë dhe fëmijët. Ai pretendoi se nga ky sulm është goditur edhe një foshnjë që ndodhej në karrocë.
“Harroi kush se ne do pajtohemi me aktet e Edi Ramës, me epitetet e tipit të Spiro Kolekës e Enver Hoxhës, xhelatit Rama që u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që përdor kundër nënave me fëmijë? Po, po e gjuajti foshnjën në karrocë, nuk e patë ju? Prandaj dhe, sepse partia e krimit ju ka vënë një fasho përpara”, u shpreh lideri i opozitës nga foltorja e Kuvendit, duke kritikuar heshtjen e deputetëve të mazhorancës.
Më tej, lideri i demokratëve u ndal sërish te çështje e antimitingut që sipas tij po organizohet nga qeveria në Vlorë për të përçarë reagimin qytetar, duke e cilësuar atë si një "qëndrim stalinist" dhe "akt të shëmtuar kriminal". Ai i bëri thirrje sërish qeverisë të marrë masa e ta anulojë menjëherë atë aktivitet, ndërsa lëshoi një mesazh të qartë për qëndrueshmërinë e aksionit opozitar.
"Po garantoj shërbëtorët e qeverisë se kurrë, kurrë asnjë forcë në botë nuk mposht dot këtë opozitë o mjeranë. Nuk ka asgjë që mund të devijojë këtë forcë politike, asgjë. Qëndron dhe do qëndrojë e palëkundur në parime", përfundoi Berisha.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






