Transmetuar më 04-06-2026, 12:03

TIRANË – Debatet politike në seancën e sotme plenare në Kuvend janë përshkallëzuar në sulme të forta personale. Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të ashpra në drejtim të deputetit socialist Piro Vengu, duke e cilësuar atë si "dezertor" dhe duke pretenduar se ka manipuluar origjinën e tij familjare.

Nga foltorja e parlamentit, Berisha pretendoi se Vengu ka shmangur shërbimin ushtarak në Greqi pas marrjes së nënshtetësisë greke dhe ka mashtruar publikisht duke u vetëshpallur si pasardhës i heroit të njohur historik, Marko Boçari.

“Parafolësi, pasi dezertoi nga ushtria, bëri mashtrimin madhor se është pasardhës i Marko Boçarit. Dhe se Sali mos i bjer në qafë kot një deshendenti të Marko Boçarit, se pavarësisht se ka marrë nënshtetësinë greke, nuk mund të bënte shërbim ushtarak në Greqi. Marr vesh unë, ky është pasardhës i një familje kallajxhi, krahina e tyre është një krahinë e mrekullueshme, fshati i tij është fshati i kallajxhive”, deklaroi Berisha, duke iu referuar fshatit të deputetit dhe duke përmendur si kontrast figura të shquara të asaj zone, si shkrimtarin Andon Zako Çajupi.

Gjatë fjalës së tij të tensionuar, kreu i opozitës iu drejtua disa herë me pyetje të drejtpërdrejta deputetit të mazhorancës, duke i kërkuar të sqarojë pozicionin e tij përpara opinionit publik: "Ke dezertuar apo jo? Thuaju a ke dezertuar apo jo? Thuaju shqiptarëve, dezertove nga ushtria apo jo? Dhe more pastaj e dole në krye të ushtrisë."

Në mbyllje të replikës së tij, Berisha ka rikthyer sërish vëmendjen te zhvillimet politike jashtë parlamentit, duke përsëritur thirrjen urgjente drejtuar mazhorancës për të anuluar atë që ai e konsideron si antimiting të organizuar nga administrata, i cili është planifikuar të mbahet ditën e nesërme në qytetin e Vlorës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit