Transmetuar më 04-06-2026, 11:26

TIRANË – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj Kryeministrit Edi Rama gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend, duke e akuzuar atë për organizimin e një antimitingu në qytetin e Vlorës me qëllim përçarjen e protestës qytetare për çështjen e Zvërnecit.

Sipas Berishës, mazhoranca socialiste i ka dërguar mesazhe urdhëruese të gjithë punonjësve të administratës publike në zonën e Jugut, duke i detyruar që të dalin nesër në një kundërprotestë. Lideri i opozitës e ka krahasuar këtë strategji me metodat e periudhës së fundit të regjimit komunist.

“Denoncoj med forcën më të madhe vendimin e kreut të Meduzës, kreut të organizatës kriminale për të organizuar nesër në Vlorë antimitingun e turpshëm të historisë. Ju paralajmëroj se antimitingjet tuaja nuk do të tolerohen, do të marrin atë përgjigje që do të mjeroheni me të. Keni dërguar mesazh te të gjithë punonjësit e të gjithë Jugut, njësoj si Ramiz Alia që donte të shpallte Republikën e Vlorës me vullnetarët e Enverit. Tani janë vullnetarët e Edit”, deklaroi Berisha nga foltorja e parlamentit.

Më tej, kreu i demokratëve bëri me dije se ka publikuar tashmë mesazhet që sipas tij u janë nisur nënndarjeve të administratës. Ai i bëri thirrje kryeministrit të tërhiqet menjëherë dhe të anulojë këtë aktivitet, të cilin e cilësoi si një praktikë përçarëse, "fashiste dhe staliniste" që po përdoret si mjet presioni ndaj reagimit legjitim të qytetarëve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit