Transmetuar më 04-06-2026, 11:23

TIRANË – Ish-futbollisti i njohur i Kombëtares shqiptare, Igli Tare, është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ndaj tij është ngritur akuza e rëndë e "pastrimit të parave".

Komunikimi zyrtar i akuzës u bë paraditen e kësaj të enjteje, 4 qershor, pasi Tare u paraqit në ambientet e organit të akuzës në zbatim të fletëthirrjeve që i ishin dërguar më parë.

Mësohet se thirrja dhe marrja e tij si i pandehur është realizuar në kuadër të hetimeve të thelluara që SPAK po kryen për dosjen e ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Ish-zyrtarja e lartë, Belinda Balluku, është marrë më herët e pandehur nga prokurorët e posaçëm për akuzën e "shkeljes së pabarazisë në tendera", procedurë kjo që lidhet specifikisht me projektin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë. Po ashtu, ish-ministrja ndodhet nën hetim edhe për procedurat e ndjekura në lotet e Unazës së Madhe të Tiranës, ndërkohë që paralelisht me hetimin penal, SPAK ka nisur ndaj saj edhe një hetim të imtësishëm pasuror.

Marrja e Igli Tares si i pandehur brenda të njëjtës dosje pritet të hedhë dritë mbi lidhjet dhe transaksionet e dyshimta financiare që kanë shërbyer si bazë për ngritjen e akuzës së pastrimit të parave.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit