

TIRANË – Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur sot një minutë heshtje në nderim të kujtimit të inspektorit të forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë operacionit të përgjakshëm në malin Boden të Maliqit. 34-vjeçari Mekolli është shpallur zyrtarisht “Dëshmor i Atdheut”.
Kërkesa për nderimin e efektivit të rënë dhe mbajtjen e minutës së heshtjes u bë në sallën e seancave plenare nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili e cilësoi aktin si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vetë ekzistencës së shtetit.
“Gjaku i Policisë së Shtetit është gjaku i vetë shtetit; kush ngre dorë ndaj Policisë së Shtetit ka ngritur dorë kundër shtetit. Qëndrojmë sot med respekt dhe mirënjohje para sakrificës së dëshmorit të atdheut Enea Mekolli”, deklaroi Balla gjatë fjalës së tij në parlament.
Në fjalën e tij, kreu i grupit të mazhorancës nënvizoi vështirësinë e operacionit për kapjen e ish-ushtarakut Violand Braçellari, duke kujtuar se ky i fundit prej vitesh u fshihej forcave të rendit në zonat malore të Korçës dhe u kishte shpëtuar rrethimeve në mënyrë të përsëritur. Balla bëri thirrje për një reflektim të thellë shoqëror për respektimin e uniformave të policisë, ndërsa kërkoi që drejtësia të veprojë me forcë dhe t’i japë autorit dënimin maksimal.
Pasi ligjvënësit u ngritën në këmbë në nderim të figurës së dëshmorit të ri, u përcollën ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit Mekolli, si dhe u shprehën urimet për një shërim sa më të shpejtë për efektivin e plagosur rëndë në nofull, Edison Adri, i cili po trajtohet në spitalin e Traumës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






