

TIRANË – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dalë në një prononcim prekës për mediat përpara ambientit të Spitalit të Traumës në Tiranë, ku sapo ka mbërritur efektivi i plagosur rëndë në Maliq, Edison Adri.
Me tone të rënduara emocionale, kryepolici Hita e ka cilësuar ngjarjen e sotme si një ditë zie për mbarë uniformat e zeza, duke theksuar se institucioni që ai drejton ka humbur një ndër shërbëtorët e tij më të përkushtuar, inspektorin 34-vjeçar Enea Mekolli, i cili u ekzekutua gjatë aksionit në malin Boden.
“Policia e Shtetit humbi shërbëtorin e saj. Edhe një punonjës policie është i plagosur rëndë dhe po merr ndihmë mjekësore këtu te Trauma. Edhe personi në kërkim, gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagos dhe ndodhet në spitalin e Korçës. Është vërtet një ngjarje ku nuk do doja të isha para jush”, u shpreh para gazetarëve drejtori Skënder Hita.
Kreu i Policisë konfirmoi se situata shëndetësore e efektivit të plagosur Edison Adri, 36 vjeç, mbetet serioze për shkak të plumbit që i ka përshkuar tejpërtej nofullën, por ai tashmë ndodhet nën kujdesin maksimal të ekipeve të specializuara të Traumës.
Nga ana tjetër, Hita rikonfirmoi se autori i kësaj masakre, ish-ushtaraku i shpallur në kërkim Violand Braçellari, ka mbetur i plagosur në dorë nga vetë reagimi i forcave të rendit dhe po merr mjekim në spitalin e Korçës, ku mbahet nën masa ekstreme izolimi përpara se të përballet me akuzat e rënda të vrasjes së punonjësit të policisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






