Transmetuar më 04-06-2026, 11:18

TIRANË – Ka mbërritur me urgjencë në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë efektivi i forcave “Shqiponja”, Edison Adri, 36 vjeç, i cili mbeti i plagosur rëndë gjatë shkëmbimit të zjarrit të mëngjesit të sotëm në malin Boden të Maliqit.

Në pamjet e siguruara përmes një videoje, dallohet momenti i mbërritjes së efektivit në ambientet e spitalit, ku është pritur menjëherë nga ekipet e mjekëve të urgjencës. Burime mjekësore bëjnë me dije se 36-vjeçari ka marrë një plagë tejet të rëndë: një plumb i vetëm i ka përshkuar faqen tejpërtej nga njëra anë në tjetrën, duke i shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në strukturën e nofullës.

Për shkak të specifikës dhe rëndësisë së plagës, efektivi i është nënshtruar menjëherë ekzaminimeve të thelluara dhe pritet të futet në sallën e operacionit për një ndërhyrje të specifikuar kirurgjikale.

Edison Adri u plagos gjatë një operacioni në zonën e Lozhanit për kapjen e ish-ushtarakut të shpallur në kërkim, Violand Braçellari. Ky i fundit hapi zjarr të befasishëm ndaj grupit të policisë duke vrarë në vend inspektorin Enea Mekolli, 34 vjeç, dhe duke lënë të plagosur Adrin. Vetë autori u plagos në dorë nga kundërpërgjigjja e policisë dhe aktualisht ndodhet i arrestuar në spitalin e Korçës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit