

MALIQ – Kanë mbërritur pamjet e para përmes një videoje nga vendi i ngjarjes në malin Boden të Lozhanit në Bashkinë Maliq, ku mëngjesin e kësaj të enjteje u shënua tragjedia e rëndë që tronditi Policinë e Shtetit. Në këtë zonë të thellë malore, gjatë një operacioni për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë, humbi jetën në krye të detyrës inspektori i forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, 34 vjeç, si dhe mbeti i plagosur shoku e kolegu i tij i skuadrës, inspektor Edison Adri, 36 vjeç.
Videoja nga terreni tregon vështirësinë e jashtëzakonshme të zonës ku operuan forcat e rendit dhe perimetrin e rrethuar ku grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij sulmi kriminal.
Si dhe ku ndodhi ngjarja?
Ngjarja e përgjakshme u regjistrua rreth orës 07:30 të mëngjesit të sotëm në një terren ekstremisht të thyer malor. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Maliqit dhe atë të Korçës, kishin siguruar informacione operative për vendndodhjen e shtetasit Violand Braçellari, 43 vjeç, i cili fshihej në një stan të madh në malin Boden, mbi fshatin Bodë të zonës së Lozhanit.
Sapo efektivët e forcave "Shqiponja" kanë filluar afrimin dhe rrethimin e perimetrit të stanit, i cili mbrohej edhe nga disa qen, autori ka konstatuar lëvizjet e dyshimta të uniformave të zeza. Duke shfrytëzuar trajnimin e tij si ish-ushtarak dhe pozicionin e favorshëm gjeografik, 43-vjeçari ka hapur menjëherë breshëri armësh në drejtim të forcave të policisë.
Nga të shtënat e para të befasishme, inspektor Enea Mekolli humbi jetën në vend, ndërsa kolegu i tij Edison Adri mbeti i plagosur. Për të neutralizuar sulmin, policia iu kundërpërgjigj me zjarr, duke e plagosur autorin në dorë dhe duke bërë të mundur prangosjen e tij pas një arratie që zgjaste prej vitit 2017. Për shkak të terrenit të thyer malor, u desh ndërhyrja e helikopterit të urgjencës mjekësore për evakuimin e të lënduarve.
Profil i lartë kriminal dhe reagimi zyrtar
Autori Violand Braçellari rezulton një emër mjaft i njohur për drejtësinë, i dënuar në vitin 2017 me thuajse 10 vite burgim për "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe i shpallur në kërkim për llogari të Vlorës. Për shkak të terrenit të vështirë dhe përgatitjes së tij ushtarake, ai u kishte shpëtuar më parë katër operacioneve të forcave speciale RENEA. Aktualisht ai ndodhet në spitalin e Korçës nën masa ekstreme sigurie.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili e dënoi me forcë aktin duke e cilësuar si një sulm ndaj rendit dhe ligjit, ndërsa garantoi se autori do të përballet me të gjithë forcën e drejtësisë.




Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






