Transmetuar më 04-06-2026, 09:54

TIRANË – Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar zyrtarisht pas ngjarjes tragjike të shënuar mëngjesin e sotëm në malin Boden të Lozhanit në Maliq, ku gjatë një operacioni antidrogë mbeti i vrarë në krye të detyrës inspektori i forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, dhe u plagos kolegu i tij, Edison Adri.

Përmes një deklarate zyrtare, ministri Lamallari e ka dënuar me forcën më të madhe këtë sulm të përgjakshëm, duke e cilësuar atë si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj shtetit, rendit dhe sigurisë publike. Ai garantoi se autori i këtij krimi, ish-ushtaraku Violand Braçellari, i cili tashmë ndodhet i arrestuar në spitalin e Korçës, nuk do të ketë asnjë mundësi t’i shpëtojë llogaridhënies para drejtësisë.

“Sot një familje humbi njeriun e saj të dashur, Policia e Shtetit humbi një koleg, Shqipëria humbi një shërbëtor të përkushtuar të ligjit. Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal të rëndë në Maliq, një sulm jo vetëm ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, por ndaj vetë rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Autori do të përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do të ketë asnjë mundësi t’i shpëtojë drejtësisë”, u shpreh ministri.

Gjatë mesazhit të tij, Lamallari përcolli ngushëllimet më të ndjera për familjen, miqtë dhe kolegët e efektivit të ndjerë Enea Mekolli, duke theksuar se sakrifica e tij sublime në emër të detyrës do të kujtohet gjithmonë me respektin dhe mirënjohjen më të lartë shtetërore. Gjithashtu, ministri i uroi shërim të shpejtë efektivit të plagosur, Edison Adri, me urimin për një rikthim sa më të shpejtë në radhët e Policisë së Shtetit.

Në mbyllje të deklaratës, ministri i Brendshëm siguroi opinionin publik se kjo ngjarje e rëndë nuk do të zmbrapsë strukturat e rendit, por do t’i bëjë ato edhe më të vendosura në përballjen pa kompromis me krimin e organizuar në të gjithë vendin.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit