

Viktimat Jetmir Binaku dhe Leonit Aliu
LEZHË – Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tragjike e shënuar një ditë më parë në plazhin e njohur si "Rana e Hedhun" në Shëngjin, ku dy të rinj nga Kosova humbën jetën pasi u rrëmbyen nga dallgët e forta të detit.
Viktimat e kësaj tragjedie janë identifikuar si shtetasit Leonit Aliu, 22 vjeç, banues në Fushë-Kosovë, dhe Jetmir Binaku, 23 vjeç, banues në Prishtinë. Mes dhimbjes së madhe, familjarë dhe miq kanë ndarë fotot e dy të rinjve në rrjetet sociale. Njëri prej viktimave, 22-vjeçari Leonit Aliu, nuk ishte një emër i panjohur për publikun, pasi kishte qenë pjesë e botës së futbollit në Kosovë si lojtar i klubit KF Fushë-Kosova.
Sipas informacioneve, dy të rinjtë kishin udhëtuar drejt Shëngjinit si pjesë e një grupi turistësh me autobusë për të kaluar ditën në bregdet. Gjatë pasdites, ata janë futur në det për t’u larë së bashku me tre shokë të tyre, të identifikuar si Dion Myftari, Arbër Beqaj dhe Drilon Rrustemi, por janë përballur me dallgë të fuqishme që i kanë tërhequr drejt thellësisë.
Kanë qenë disa pushues në zonë, të cilët duke lëvizur me motorë uji (Jet Ski) dhe në bashkëpunim të menjëhershëm me shërbimet e policisë, kanë ndërhyrë me shpejtësi duke nxjerrë nga uji të pesë të rinjtë. Pavarësisht përpjekjeve për t’u dhënë ndihmën e parë, Aliu dhe Binaku u nxorën nga deti pa shenja jete, ndërsa tre shokët e tyre fatmirësisht arritën të shpëtonin.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






