

KORÇË – Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Korçës, ku një punonjës policie ka humbur jetën në krye të detyrës dhe një tjetër ka mbetur i plagosur. Ngjarja e përgjakshme ndodhi gjatë një operacioni të organizuar për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i cili ka hapur zjarr ndaj forcave të rendit.
Sipas informacioneve zyrtare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Maliqit dhe atë të Korçës, kishin lokalizuar vendndodhjen e të kërkuarit në zonën e Lozhanit, konkretisht në malin Boden të Bashkisë Maliq. Rreth orës 07:30, efektivët rrethuan një stan ku fshihej shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç.
Ndonëse policia i bëri thirrje të dorëzohej, 43-vjeçari nuk u bind dhe hapi zjarr në drejtim të uniformave të zeza. Si pasojë e të shtënave, humbi jetën inspektori Enea Mekollari, 34 vjeç, dhe u plagos inspektori Edison Adri, 36 vjeç, të dy pjesëtarë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Korçë.
Për të neutralizuar sulmin, shërbimet e policisë iu kundërpërgjigjën me armë zjarri, duke lënë të plagosur autorin Violand Braçellari, i cili më pas u vu në pranga. Për shkak të terrenit të vështirë dhe urgjencës mjekësore, drejt vendngjarjes është nisur një helikopter i shëndetësisë për të transportuar të plagosurit.
Autori i këtij sulmi, Violand Braçellari, është një person me precedentë të theksuar kriminalë. Ai rezulton i dënuar në vitin 2017 nga Gjykata e Korçës me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", si dhe ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” që prej vitit 2011 për "Kultivimi i bimëve narkotike".
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim med Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), po vijon punën në vendngjarje për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Policia flet zyrtarisht për ngjarjen e rëndë

Violand Braçellari

Enea Mekolli

Edison Adri
Korçë/ Humbet jetën në krye të detyrës, 1 punonjës policie, si dhe plagoset një tjetër punonjës policie, nga sulmi me armë zjarri nga një person i kërkuar i cili u neutralizua dhe u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit gjatë një operacioni për kapjen e tij
Korçë – Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe të Komisariatit të Policisë Korçë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq.
Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor Enea Mekolli, 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor Edison Adri 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë).
Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.
Në drejtim të vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës Policie dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës i Policisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






