Transmetuar më 04-06-2026, 07:43

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën e radhës plenare, ku në qendër të diskutimeve pritet të jenë interpelancat me Kryeministrin Edi Rama dhe disa anëtarë të kabinetit qeveritar.

Sipas rendit të ditës, deputetët do të zhvillojnë gjithsej gjashtë interpelanca, dy prej të cilave me Kryeministrin Rama. Interpelanca e parë është kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, ndërsa e dyta nga deputetët e Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri.

Po ashtu, në seancë janë parashikuar interpelanca me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë do të përballet me dy interpelanca të veçanta, të kërkuara nga deputetët Kliti Hoti dhe Gjin Gjoni.

Përveç debatit parlamentar, deputetët do të shqyrtojnë edhe dy projektligje të rëndësishme. I pari lidhet me ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë për sigurimet shoqërore, ndërsa i dyti ka të bëjë me nënproduktet me origjinë shtazore.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së mëparshme dhe njoftimet procedurale, ndërsa në përfundim është parashikuar hapësirë për diskutime mbi çështje jashtë rendit të ditës.

Pritet që interpelancat të dominojnë debatin parlamentar, duke sjellë përballje mes mazhorancës dhe opozitës mbi çështje të ndryshme të aktualitetit politik dhe qeverisës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit