Transmetuar më 04-06-2026, 07:31

Të dhënat më të fundit zyrtare të INSTAT tregojnë një përmbysje historike të strukturës moshore në Shqipëri, duke e zhvendosur vendin nga një nga kombet me popullsinë më të re në Evropë, drejt një shoqërie me moshë mediane të ngjashme me mesataren e Bashkimit Europian.

Sipas INSTAT, mosha mediane e popullsisë shqiptare arriti 45 vjeç më 1 janar 2026, duke u rritur me 7 muaj brenda një viti. Përkufizimi i moshës mediane nënkupton që 50% e popullsisë janë mbi këtë moshë dhe 50% nën të. Për krahasim, në 1 janar 2025, mosha mediane në Bashkimin Europian ishte 44.9 vjeç.

Nga viti 2014 deri në 2026, mosha mediane e shqiptarëve u rrit me 10.8 vite, ndërsa në BE kjo rritje ishte vetëm 2.4 vite, duke treguar se Shqipëria po plaket 4.5 herë më shpejt se mesatarja europiane. Ky ritëm është përshpejtuar veçanërisht gjatë dy viteve të fundit, ku mosha mediane nga 43.4 vjeç në 2024 u rrit në 44.3 vjeç në 2025 dhe më pas në rekord 45 vjeç në 2026.

Kjo do të thotë se për herë të parë, gjysma e popullsisë shqiptare është mbi 45 vjeç, duke arritur apo tejkaluar nivelin mesatar të BE-së. Shkaku kryesor i këtij fenomeni është norma e ulët e lindshmërisë dhe emigracioni i vazhdueshëm, i cili prek kryesisht moshat e reja dhe ato riprodhuese. Largimi i forcës punëtore të re ka lënë pas një strukturë popullsie që plaket me shpejtësi.

Pasojat e këtij transformimi priten të jenë të thella dhe afatgjata. Tregu i punës mund të përballet me mungesë të burimeve njerëzore dhe rritje të moshës mesatare të punonjësve, duke ulur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e bizneseve vendase.

Skemat e pensioneve dhe sigurimeve shoqërore do të përballen me presion financiar të shtuar, ndërsa sistemi shëndetësor do të duhet të riorientohet drejt shërbimeve geriatrike dhe trajtimit të sëmundjeve kronike, duke kërkuar fonde më të larta publike.

Ekspertët paralajmërojnë se këto zhvillime demografike mund të shndërrohen në një nga sfidat më të mëdha për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit në dekadat e ardhshme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit