

Territori i Bashkisë Shkodër është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të dendura shiu, duke sjellë problematika të shumta në disa zona dhe vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve. Autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e Emergjencave Civile dhe shërbimet publike janë angazhuar menjëherë në terren për menaxhimin e situatës.
Sipas njoftimit të Bashkisë Shkodër, në terren janë angazhuar Emergjencat Civile, ndërmarrjet e shërbimeve publike dhe Ujësjellës Kanalizime Shkodër, të cilët po ndërhyjnë në zonat ku janë konstatuar problematika. Situata po monitorohet në vijimësi edhe gjatë natës, ndërsa parashikimet meteorologjike tregojnë se reshjet dhe shtrëngatat pritet të vijojnë edhe në orët në vijim.
Problematicat më të theksuara janë raportuar në segmentin rrugor nga qendra e Shëngjinit drejt portit, si dhe në zonën nga Lapidari drejt Kunes, ku prania e ujit ka arritur disa centimetra, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve. Ndërhyrje janë parashikuar edhe nga shërbimet bashkiake në Lezhë për pastrimin dhe zhbllokimin e pusetave, me qëllim normalizimin e qarkullimit.
Ndërkohë, reshje të shiut dhe stuhi të shkurtra janë raportuar edhe në Elbasan dhe qytete të tjera të vendit, duke shkaktuar vështirësi të përkohshme në qarkullim në disa akse rrugore.
Autoritetet vendore theksojnë se të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate emergjente dhe për garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, të shmangin zonat problematike dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve gjatë kushteve të motit të keq.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






