

WASHINGTON D.C. – Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, ka deklaruar gjatë një seance dëgjimore në Kongres se anëtarësimi i Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike nuk është një prioritet aktual i NATO-s.
Gjatë seancës, kryetar i Nënkomitetit për Evropën, kongresmeni Keith Self, theksoi se katër shtete anëtare të NATO-s po pengojnë anëtarësimin e Kosovës dhe kërkoi ndihmën e Rubios për të avancuar çështjen.
Rubio, megjithatë, u shpreh se fokus i Aleancës aktualisht janë çështje të tjera më të rëndësishme dhe se pranimi i Kosovës “nuk është realisht në krye të agjendës”. Ai shtoi se kjo nuk do të thotë se anëtarësimi nuk mund të ndodhë kurrë, por thjesht nuk është prioritet në këtë moment, duke pasur parasysh tensionet dhe çështjet e tjera që diskutohen me aleatët e NATO-s.
“Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë kurrë, thjesht do të thotë se nuk është prioritet duke pasur parasysh këto pika të tjera të tensionit. Kjo çështje nuk ka qenë e theksuar në bisedat e fundit me aleatët tanë të NATO-s”, theksoi Rubio.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur dialogu për zgjerimin e NATO-s dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor mbetet një temë e ndjeshme në raportet transatlantike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






