

Shëngjin, Lezhë – Kjo pasdite nuk duhet të ishte e fundit për dy të rinj shqiptarë të Kosovës, por vetëm nisja e sezonit veror të plazhit.
Leonit Aliu 21 vjeç nga Fushë Kosova dhe Jetmir Binaku 20 vjeç nga Prishtina, bashkë me tre shokë të tjerë, Dion Myftari, Arber Beqaj dhe Drilon Rrustemi kishin ardhur së bashku në Shëngjin për tu kredhur në ujin e detit.
Koha sot ishte e vranët, por vapë. Ndaj ata nuk e menduan dy herë, u futën në det për tu freskuar.
Në një moment e panë veten në pamëshirshmrinë e dallgëve. Njëra prej tyre, siç tregojnë dëshmitarë në vendngjarje që citon noa.al, ishte kaq e fortë sa i sporti larg e më larg.
E ndërsa dallgët po shtoheshin, ata nuk po dukeshin më. Ndërsa kërkonin ndihmë, disa plazhistë e kuptuan situatën dhe rendën në ujë, duke rrezikuar dhe ata.
Situata ishte e rëndë, tregojnë dëshmitarët. Një jetski që ishte aty pari, pa asnjë dilemë u ndez dhe shkoi afër vendit ku djemtë po përpëliteshin mes jetës dhe vdekjes.
E ndërkohë, policia e njoftuar nga të pranishmit, u afrua edhe ajo.
Ishte një skenë e rëndë, teksa pushuesit dhe djemtë me jetski përpiqeshin të nxirrnin të gjallë nga uji, pesë çunat nga Kosova.
Arritën ti marrin dhe ti tërheqin me shumë mundim deri në breg. Aty nisën përpjekjet për ti mbajtur në jetë. Por dy prej tyre, nuk ia dolën dot.
Leonit Aliu nga Fushë Kosova dhe Jetmir Binaku nga Prishtina humbën jetën.
Ambulancat e mbërritura buzë detit, morën të gjithë të rinjtë dhe i dërguan në spital. Për Leonidin dhe Jetmirin vetëm sa u konfirmua vdekja e tyre e dhimbshme.
Kurse Dion Myftari, Arber Beqaj dhe Drilon Rrustemi, tani janë jashtë rrezikut për jetën.
Çfarë tha policia
Duke bërë një panoramë të asaj që ndodhi, policia e Lezhës tha se sot rreth orës 16:30, shërbimet e saj kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.
Pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.
Pas reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.
Më pas, Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, njoftoi se 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





