Transmetuar më 03-06-2026, 13:20

Athinë – Projektet e reja investuese në bregdetin shqiptar kanë marrë një vëmendje të gjerë në mediat kryesore në Greqi, të cilat i kanë kushtuar hapësirë televizive në fashat kryesore të edicioneve të lajmeve.

Gjatë një analize në kanalin televiziv "STAR", gazetarët grekë kanë diskutuar gjerësisht mbi impaktin e projektit të sipërmarrësit amerikan Jared Kushner në zonën e Zvërnecit dhe Pishë Poros, duke e cilësuar atë si një zhvillim me peshë të madhe gjeopolitike dhe ekonomike për Shqipërinë, por që mund të sjellë pasoja konkurrence për turizmin grek.

Gazetari Ilia Papanikolau vuri në dukje se ky projekt parashikon një shtrirje prej rreth dy milionë e gjysmë metrash katrorë, një sipërfaqe që sipas tij ilustron përmasat e jashtëzakonshme të ndërhyrjes në një zonë me pasuri unike natyrore. Sipas analizës së paraqitur, vlera e këtij investimi pritet të kalojë shifrën e 4 miliardë dollarëve, fakt ky që sipas mediave helene do të ndikojë drejtpërdrejt në tërheqjen e turizmit elitar në Shqipëri, duke sfiduar destinacionet tradicionale greke në detin Jon, si Korfuzi apo Kefalonia.

Më tej, në raportim u nënvizua edhe pesha diplomatike dhe publike e këtij projekti në arenën ndërkombëtare. Daljet publike të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, krahas investitorit Jared Kushner dhe bashkëshortes së tij, Ivanka Trump, si dhe promovimi i projektit në mediat më të mëdha amerikane, vlerësohen nga analistët grekë si tregues të një pozicionimi të ri gjeopolitik të Shqipërisë në rajon, duke krijuar ekuilibra të rinj në raport me fqinjët strategjikë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit