

Absurd koordinativ
Nga Sonila Meço

Simbol i saktë i kësaj kohe të marrë është edhe ky grotesk. Protesta e mijra shqiptarëve kundër betonizimit të zonave të mbrojtura e bregdetare po zhvillohet në hijen e kullës që sapo e ka fituar garën dhe miratimin për t’u lartuar si obelisk betoni në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në njoftim thuhet se juria ndërkombëtare përzgjodhi këtë projekt, ku brenda godinës, propozohen përmirësime të akustikës, zëvendësimi i çatisë me një strukturë çeliku dhe krijimi i gjashtë sallave të reja konferencash me kapacitet të përgjithshëm prej rreth 1,600 personash.
Por në fund shtohet ashtu ndrojtur (madje pothuaj padukshëm nëse lexon me nxitim), se projekti “përfshin gjithashtu një kullë multifunksionale me zyra dhe hotel.”
Sheh projektin dhe të ze një ankth urban, thuajse atak paniku. Një ndërhyrje pranë Pallatit të Kongreseve do të duhej të dialogonte me boshtin monumental ekzistues, me frymëmarrjen publike të zonës, me siluetën relativisht horizontale që ende i ka mbetur këtij segmenti të qytetit. Kulla, përkundrazi, e dominon hapësirën me një lloj arrogance vizuale, sikur do ta nënshtrojë Tiranën e çoroditur.
Pyetjet e para që të nëpërmenden janë nëse e përballon dot këtë imponim të frikshëm në lartësi e volum ajo zonë?
Sa trafik shton?
Sa densitet sjell?
Çfarë infrastrukture publike krijon realisht?
Sa hapësirë publike humbet?
Çfarë raporti krijon me diellin, erën, hijen, mikroklimën edhe kështu të shprishur të Tiranës?
Nën hijen e gjatë ende virtuale të kullës sot protestohet për bregdetin, por po të njëjtëve shqiptarë u duhet të përplasen me një doktrinë të tërë, ku çdo copëz Shqipërie, bregdet, park, qendër qyteti a zonë e mbrojtur trajtohet si sipërfaqe negociimi mes pushtetit dhe betonit.
Nuk di ç’emër t’i vësh, se ndërsa protestohet për Zvërnecin, në qendër të Tiranës ngrihet një tjetër monument i filozofisë së epokës së betonit. Sa më e lartë kulla, aq më e vogël republika poshtë saj.
A mundemi të ngrihemi e rezistojmë pa pauza kundër një sistemi të tërë filozofie që ka prekur e shembur pasuri kombëtare, qysh nga zonat e mbrojtura e gjer tek deliret vertikale të një Shqipërie të bërë copash?
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





