Transmetuar më 03-06-2026, 10:02

Shqipëria pritet të përballet me një valë të fortë të nxehti gjatë fundjavës dhe javës së ardhshme, sipas parashikimeve të shërbimit privat meteorologjik MeteoAlb.

Sinoptikania Lajda Porja bëri të ditur se, megjithëse orët e para të mëngjesit do të vijojnë të sjellin temperatura relativisht të freskëta dhe një ndjesi pranverore, situata do të ndryshojë ndjeshëm pas mesditës, kur termometri pritet të ngjitet deri në 34 gradë Celsius.

Sipas saj, fundjava do të shënojë kulmin e valës së të nxehtit, me temperatura që mund të arrijnë deri në 36 gradë Celsius, ndërsa temperatura e perceptuar nga qytetarët do të jetë afërsisht 40 gradë.

“Pas orës 11:00 çdo ditë do të nisin temperaturat e larta. Kjo fundjavë dhe java tjetër do të jenë me temperatura shumë të larta. Gjatë fundjavës presim temperatura deri në 36 gradë, të cilat do të ndihen si 40 gradë Celsius. Do të jetë një verë me temperatura shumë të larta, madje më e nxehtë se viti i kaluar”, tha Porja.

Ajo theksoi se vala e të nxehtit nuk do të prekë vetëm Shqipërinë, por edhe pjesën më të madhe të Europës, ndërsa temperaturat e larta pritet të dominojnë deri në fund të muajit gusht.

Sinoptikania paralajmëroi se orët më problematike do të jenë nga 11:00 deri në 15:00, periudhë gjatë së cilës rekomandohet kujdes i shtuar për të moshuarit, personat që vuajnë nga sëmundje kronike dhe fëmijët.

Ekspertët këshillojnë shmangien e ekspozimit të gjatë në diell gjatë orëve të pikut, konsumimin e sasive të mjaftueshme të ujit dhe lëngjeve, si dhe kufizimin e aktiviteteve fizike në ambiente të hapura.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit