

Athinë – Eurodeputetja greke Afroditi Latinopoulou ka kërkuar dëbimin e ambasadores së Shqipërisë në Greqi, pas incidenteve të raportuara në Zvërnec, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe shqetësuese.
Duke folur për televizionin grek SKAI, Latinopoulou, kryetare e partisë “Zëri i Arsyes”, iu referua ngjarjeve të së shtunës në Zvërnec, ku sipas raportimeve një minoritar grek është dhunuar nga roje private gjatë protestave kundër projektit turistik.
“Qeveria duhet të flasë seriozisht, hapur dhe publikisht për dëbimin e ambasadores shqiptare”, deklaroi ajo, duke kërkuar një reagim të fortë në nivel europian.
Ajo kritikoi gjithashtu deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama, duke vënë në pikëpyetje reagimin e palës greke dhe marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.
“A ka sot një grek që ndihet krenar për deklaratat e Ramës? A ndihen qytetarët grekë krenarë kur e shohin atë të mbajë fjalime në vendin tonë?”, u shpreh ajo.
Deklaratat e eurodeputetes vijnë në një moment tensionesh të raportuara lidhur me incidentet në zonën e Zvërnecit, të cilat kanë ngjallur reagime politike edhe në nivel ndërkombëtar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





