

Një dënim me më pak se gjashtë vjet burgim e çoi 48 vjeçare shqiptar Edmond Tafa në burgun e sigurisë së lartë Koridhalos në Athinë, i konsideruar si burgu më i sigurt në Greqi dhe njëkohësisht burgu ku strehohen pjesa më e madhe e kriminelëve me akuza të rënda penale.
Tafa kishte një sjellje model në burg. Ai merrte leje dhe nuk e shkelte kurrë atë. Punonte qetësisht te magazina e ushqimeve të burgut.
Këtë mëngjes, ai e shfrytëzoi mundësinë për të mos pritur vitin 2031. Shfrytëzoi momentin kur një kamion me ushqime bëri të hapej dera, mori plehrat kinse do t’i hidhte dhe ia mbathi me të katra.
Për shkaqe që ende mbeten të paqarta dhe në thyerje të protokollit, rojet e burgut kanë hapur njëkohësisht të dyja portat kryesore të sigurisë. Këtë moment e ka shfrytëzuar 48-vjeçari shqiptar, i cili ka kaluar portat dhe u largua me vrap nëpër rrugicat e zonës përreth burgut, raporton media greke.
Çfarë dihet për të arratisurin
Edmond Tafa, është një shtetas shqiptar i datëlindjes 1978 (48 vjeç), i cili po vuan dënimin në këtë burg nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.
I burgosuri ishte dënuar nga Gjykata e Apelit e Athinës me një dënim me burg prej shtatë vjetësh, gjashtë muajsh dhe katër ditësh dhe duhej të lirohej në korrik 2031.
Autoritetet helene kanë nisur një operacion në shkallë të gjerë për kapjen e tij. Nga hetimet e para dyshohet se arratisja ishte e mirëorganizuar dhe se shqiptari ka pasur bashkëpunëtorë jashtë rrethimit të burgut, të cilët e kanë ndihmuar të largohet me shpejtësi nga zona.
Për incidentin, 2 oficerë burgu u arrestuan nga Nëndrejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Pire, të akuzuar për lirimin e një të burgosuri, ndërsa procedura e përcaktuar disiplinore është duke u zhvilluar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





