

Ermelinda Meksi: Zvërneci rrezikon të përsërisë historinë e Kakomesë, qeveria t’u japë përgjigje qytetarëve
Ish-zëvendëskryeministrja Ermelinda Meksi ka reaguar mbi debatin për projektin e Zvërnecit, duke theksuar se shqetësimi i qytetarëve nuk lidhet vetëm me investimin, por me mungesën e transparencës, besimit dhe dialogut publik.
Ajo sjell në vëmendje rastin e Kakomesë, ku sipas saj premtimet për zhvillim u shoqëruan me konflikte të gjata mbi pronësinë dhe ndikimin mjedisor, ndërsa kërkon që qeveria të japë sqarime të plota mbi pronësinë, përfitimet ekonomike, ndikimin në mjedis dhe ndryshimet ligjore që kanë prekur zonat e mbrojtura.
Analiza e plotë
Debati që ka shpërthyer rreth projektit në Zvërnec, më shumë se për investimin, është shndërruar në një debat të gjerë mbi besimin e qytetarëve te shteti, mbrojtjen e pasurive kombëtare, transparencën e vendimmarrjes dhe modelin e zhvillimit që Shqipëria dëshiron të ndjekë.
Për këtë arsye, reagimi i Kryeministrit, qeverisë dhe Kuvendit nuk mund të kufizohet në deklarata politike "pro zhvillimit" apo "kundër zhvillimit". Qytetarët kanë nevojë për përgjigje konkrete, të verifikueshme dhe të besueshme.
✔️ Ndjeshmëria që kjo çështje ka ngjallur më kujton rastin e investimit të propozuar nga Club Med në Kakome rreth 20 vjet më parë.
Edhe atëherë u premtua zhvillim, investime strategjike dhe rritje ekonomike. Edhe atëherë pati debate mbi pronësinë, ndikimin mjedisor dhe përfitimin publik. Sot, pas më shumë se dy dekadash, Kakomeja mbetet një kujtesë se çështjet e pronësisë, sigurisë juridike dhe konsensusit social duhet të zgjidhen përpara se projektet të hyjnë në fazën e zbatimit.
Prandaj çfarë garancish ka që Zvërneci të mos përfundojë në cikël konfliktesh, procesesh gjyqësore dhe polarizimi social?
✔️ Çështja tjetër që duhet sqaruar lidhet me ndryshimet e bëra në ligjin për Zonat e Mbrojtura. Pse u konsiderua e nevojshme kjo ndërhyrje ligjore? Cilat janë garancitë që ndryshimet nuk cenojnë standardet evropiane të mbrojtjes së natyrës? A duhet të rishikohen këto ndryshime në dritën e shqetësimeve të ngritura nga ekspertët, organizatat mjedisore dhe qytetarët?
✔️ Po aq e rëndësishme është edhe çështja e transparencës së pronësisë. Në shumë vende evropiane po rritet kërkesa për identifikimin e qartë të përfituesve fundorë të kompanive që zotërojnë apo zhvillojnë projekte strategjike. Kur një investim prek zona me rëndësi kombëtare, qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush janë përfituesit realë të projektit, cilët janë aksionarët fundorë dhe kush do të përfitojë ekonomikisht nga zhvillimi i tij, pavarësisht përqindjes formale të pronësisë apo strukturave të përdorura. Transparenca nuk është pengesë për investimin; përkundrazi, ajo është kushti që investimi të fitojë besimin publik.
✔️ Po ashtu duhet të bëhen publike dhe lehtësisht të aksesueshme për qytetarët studimet e ndikimit në mjedis, planet e menaxhimit të zonës, masat mbrojtëse për biodiversitetin dhe mekanizmat e monitorimit afatgjatë. Sepse ata nuk duan premtime se natyra do të mbrohet; por standarde, garanci dhe mekanizma kontrolli.
✔️ Kryeministri dhe qeveria duhet të sqarojnë përfitimet konkrete nga investimi dhe jo thjesht rritjen e PBB.
Sa vende pune do të krijohen dhe sa prej tyre do përfitohen nga banoret vendas? Si do të shpërndahen të ardhurat që rrjedhin nga investimi dhe sa përfiton shteti shqiptar e qytetari i zakonshëm?
Në një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit ecin së bashku.
Një Shqipëri moderne nuk ndërtohet duke bllokuar investimet, por as duke injoruar shqetësimet legjitime të qytetarëve.
Mbi të gjitha, Kryeministri dhe qeveria duhet të kuptojnë se reagimi qytetar në Zvërnec dhe në Tiranë më shumë se për një projekt të caktuar,është një sinjal më i gjerë për nevojën e transparencës, dialogut dhe besimit.
Sepse kur qytetarët ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja për pasuritë natyrore dhe interesat publike që preken nga projekte të tilla, lind pakënaqësia .Ndersa nga mungesa e përgjigjeve, lind mosbesimi dhe kur mosbesimi thellohet, dëmtohet kohezioni shoqëror dhe vetë procesi i integrimit evropian.
Prandaj ky rast kerkon një përgjigjje të shpejtë, transparente dhe e besueshme nga qeveria .
Jo për të fituar një debat politik, por për të forcuar bindjen e qytetarëve se janë zot në vendin e tyre, se pasuritë natyrore menaxhohen në interes publik dhe se zhvillimi i Shqipërisë matet jo vetëm me fitimet e investitorëve, por edhe me cilësinë e jetës së qytetarëve të saj.
Kjo lëvizje qytetare duhet parë jo si kërcënim, por si një zile zgjimi ,që kërkon më shumë transparencë, më shumë dialog dhe më shumë besim mes shtetit dhe qytetarëve.
Sa më shumë paqartësi dhe deklarata kontradiktore të ketë rreth projektit, aq më e madhe bëhet nevoja për transparencë të plotë dokumentare dhe komunikim publik të qartë.
Nëse ky projekt është në interes të Vendit tonë, transparenca e plotë është aleati më i madh i tij.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





