Transmetuar më 02-06-2026, 07:25

Paga mesatare neto arriti në 636 euro, ndërsa ndërmarrjet publike vazhdojnë të ofrojnë pagat më të larta krahasuar me sektorin privat.

PRISHTINË – Paga mesatare në Kosovë ka shënuar rritje gjatë vitit 2025 në të gjithë sektorët e ekonomisë, sipas raportit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas të dhënave zyrtare, paga mesatare bruto ka arritur në 713 euro, krahasuar me 639 euro sa ishte në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 11.6 për qind.

Ndërkohë, paga mesatare neto ka arritur në 636 euro, nga 552 euro një vit më parë, ose 15.2 për qind më shumë.

Raporti tregon se rritja e pagave është regjistruar në administratën publike, ndërmarrjet publike dhe sektorin privat, megjithëse diferencat mes tyre mbeten të konsiderueshme.

Në administratën publike, paga mesatare bruto është rritur në 840 euro nga 755 euro në vitin 2024, ndërsa paga neto ka arritur në 744 euro nga 668 euro.

Ndërmarrjet publike vazhdojnë të kryesojnë për nivelin e pagave. Sipas ASK-së, paga mesatare bruto në këtë sektor ka arritur në 915 euro, nga 783 euro një vit më parë, ndërsa paga neto është rritur në 812 euro.

Nga ana tjetër, sektori privat mbetet sektori me pagat më të ulëta. Paga mesatare bruto ka arritur në 666 euro nga 598 euro në vitin 2024, ndërsa paga neto është rritur në 596 euro nga 513 euro.

Sipas raportit, sektori me pagat më të larta gjatë vitit 2025 ishte ai i informimit dhe komunikimit, ku paga mesatare bruto arriti në 1,216 euro, ndërsa paga neto në 1,068 euro.

Pas tij renditet sektori i furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, me pagë mesatare bruto prej 1,133 euro dhe neto prej 1,000 euro.

Pagat më të ulëta u regjistruan në kategorinë “Shërbime të tjera”, ku paga mesatare bruto ishte 425 euro, ndërsa paga neto 387 euro.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se, pavarësisht rritjes së përgjithshme të pagave gjatë vitit 2025, dallimet mes sektorëve të ekonomisë vazhdojnë të mbeten të theksuara.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit