

SHKUP, 1 qershor 2026 – Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, duke njoftuar largimin përmes një postimi publik në rrjetet sociale.
Fetai ka bërë të ditur se dorëheqjen ia ka dorëzuar kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e cilësuar vendimin si të mirëmenduar dhe të marrë me bindjen se në rrethanat aktuale është hapi më i drejtë dhe më dinjitoz.
Në deklaratën e tij, ai u shpreh se largohet “me kokën lart” dhe me ndërgjegje të pastër, duke theksuar se gjatë mandatit të tij ka kontribuar në reforma për forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe shtetit të së drejtës.
Dorëheqja e tij vjen pas një periudhe debatesh publike mbi mungesën e gjatë në detyrë dhe pjesëmarrjen e kufizuar në aktivitetet institucionale, çështje që kishin tërhequr vëmendjen e mediave në vend.
Fetai falënderoi bashkëpunëtorët, partnerët ndërkombëtarë dhe qytetarët për mbështetjen gjatë ushtrimit të detyrës, duke theksuar se shërbimi publik vazhdon edhe pas largimit nga funksioni zyrtar.
Postimi i Fetait:
Të dashur miq dhe bashkëqytetarë, Sot i dorëzova Kryeministrit dorëheqjen time nga detyra e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë. Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, një mision sa i rëndësishëm aq edhe jofalenderues.
A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt. Por a kam punuar me përkushtimin maksimal për të vendosur themele të shëndosha mbi të cilat mund të ndërtohet më tej? Pa asnjë mëdyshje, po. Largohem me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër. Ky është një vendim i mirëmenduar, i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze.
Falënderoj të gjithë ata që më kanë besuar, më kanë mbështetur dhe kanë bashkëpunuar me mua gjatë këtij rrugëtimi. Mirënjohje e veçantë për ekipin tim, partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe qytetarët që më kanë dhënë forcë e motivim në çdo hap. Shërbimi ndaj interesit publik nuk mbaron kur mbaron funksioni. Përkundrazi, ai vazhdon kudo ku ka nevojë për integritet, kurajë dhe zëra të lirë në mbrojtje të së mirës së përbashkët. Letrën e dorëheqjes mund ta lexoni më poshtë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






