

Me rastin e 1 Qershorit, institucioni i Avokatit të Popullit hapi dyert për iniciativën qytetare “Nisma për Fëmijët”, një nismë e ndërmarrë nga një grup prindërish, e autorizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që synon mbledhjen e 20 mijë firmave për të propozuar një ligj që garanton financimin e plotë nga shteti të kurimit të fëmijëve, brenda ose jashtë vendit.
Gjatë takimit, Komiteti Nismëtar mblodhi firmat e stafit të institucionit dhe mori mbështetjen e Avokatit të Popullit, Endrit Shabani, për të çuar përpara kërkesën në Kuvendin e Shqipërisë.
Shabani e cilësoi të papranueshme situatën ku familjet shqiptare detyrohen të kërkojnë ndihmë financiare përmes platformave si “GoFundMe” për të siguruar trajtimin mjekësor të fëmijëve të tyre.
“Nuk ka asnjë shtet aq të varfër sa të mos garantojë shëndetin e fëmijëve të vet. Është e pajustifikueshme që ende në Shqipëri familjet detyrohen të hapin fushata ‘GoFundMe’ për të financuar trajtimin shëndetësor të fëmijëve shqiptarë, ndërkohë që Kushtetuta garanton të drejtën për shëndetësi dhe mbrojtje sociale. Unë refuzoj të besoj se Shqipëria është aq e varfër sa të mos mund të mbulojë trajtimin e fëmijëve të saj”, deklaroi ai.
Avokati i Popullit njoftoi se institucioni do t’i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë për të kërkuar zhvillimin e një seance dëgjimore të posaçme për këtë çështje, me qëllim që nisma të marrë mbështetjen e nevojshme institucionale dhe politike.
“Ne jemi në mbështetje të plotë institucionale të kësaj nisme. Do të përdorim kompetencat kushtetuese që kemi për të kërkuar që kjo çështje të dëgjohet në Kuvend dhe më pas të monitorojmë zbatimin e ligjit. E kam të vështirë të gjej një deputet të Kuvendit të Shqipërisë që do të votonte kundër një nisme që synon garantimin e shëndetit të fëmijëve shqiptarë”, u shpreh Shabani.
Nga ana e tyre, aktivistët dhe përfaqësuesit e nismës, Suela Koçibellinj dhe Ardit Konomi, bënë të ditur se deri tani janë mbledhur rreth 17 mijë nënshkrime, ndërsa apeluan për mbështetje të mëtejshme qytetare për të arritur pragun e nevojshëm prej 20 mijë firmash.
Ata falënderuan Avokatin e Popullit dhe stafin e institucionit për mbështetjen e dhënë dhe theksuan se qëllimi i nismës është që asnjë fëmijë në Shqipëri të mos mbetet pa trajtimin e nevojshëm mjekësor për shkak të pamundësive ekonomike apo mungesave në sistemin publik shëndetësor.
Në takim ishte e pranishme edhe Komisionerja për të Drejtat e Fëmijëve pranë Avokatit të Popullit, Alma Faskaj, e cila përgëzoi grupin nismëtar për angazhimin e tyre dhe garantoi se institucioni dhe seksioni i posaçëm për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve do të jenë në mbështetje të vazhdueshme të kësaj iniciative.
“Nisma për Fëmijët” synon të krijojë një mekanizëm ligjor që detyron shtetin të mbulojë plotësisht kostot e trajtimit të fëmijëve, kur ky trajtim nuk mund të ofrohet në Shqipëri ose kërkon ndërhyrje të specializuara jashtë vendit, duke shmangur nevojën që familjet të mbështeten te donacionet publike për të shpëtuar jetën e fëmijëve të tyre.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





