

Prishtinë, 1 qershor 2026 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se raportet me kryeministrin shqiptar Edi Rama mbeten të mira, megjithëse dy liderët nuk ndajnë të njëjtat qëndrime për të gjitha çështjet, veçanërisht sa i përket marrëdhënieve me Beogradn zyrtar.
Në një intervistë për mediat në Kosovë, Kurti u pyet nëse ndjen përgjegjësi për ftohjen e marrëdhënieve institucionale mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ai tha se nuk beson se ka bërë gabime në këtë drejtim, duke theksuar se veprimet e tij kanë qenë gjithmonë të udhëhequra nga qëllime të mira.
“Përgjegjësi? Nuk besoj që kam gabuar, ndërkohë që kam qëllim të mirë. Marrëdhëniet me Ramën i kemi të mira, por kjo s’do të thotë që pajtohemi për të gjitha çështjet, në veçanti për qëndrimin tonë karshi Beogradit zyrtar. Ne kemi ndjeshmëri tjetër, aty dallojmë”, u shpreh Kurti.
Kreu i qeverisë në detyrë kujtoi gjithashtu bashkëpunimin institucional mes dy vendeve, duke theksuar se në dy mbledhjet e përbashkëta të qeverive janë nënshkruar 58 marrëveshje, një pjesë e të cilave janë zbatuar, ndërsa të tjerat vijojnë të jenë në proces zbatimi.
Kurti u ndal edhe te mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë e planifikuar për vitin 2023, duke përsëritur se anulimi i saj erdhi nga Tirana zyrtare dhe jo nga pala kosovare.
Sipas tij, bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të vazhdojë përmes takimeve të rregullta mes ministrave dhe institucioneve, pavarësisht dallimeve që mund të ekzistojnë në çështje të caktuara politike apo diplomatike.
Deklaratat e Kurtit vijnë në një periudhë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipëris kanë qenë objekt debatesh politike, veçanërisht në lidhje me qasjen ndaj dialogut me Serbin dhe zhvillimet rajonale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





