

ANALIZË/ A po përpiqet Rama të ndryshojë terrenin e debatit, duke e zhvendosur atë nga protestat dhe projekti në Zvërnec drejt një përplasjeje politike me Greqinë?
Protestat kundër projektit turistik në Zvërnec kanë hyrë në një fazë të re. Pas përplasjeve të fundjavës dhe pamjeve që treguan një protestues duke u tërhequr zvarrë nga punonjës të sigurisë private, zemërimi publik nuk është fashitur. Përkundrazi, protesta është zhvendosur edhe në Tiranë, ku mijëra qytetarë dolën në shesh duke paralajmëruar mobilizime të tjera dhe duke kërkuar jo vetëm ndalimin e projektit, por edhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Në këtë klimë të tensionuar, kryeministri zgjodhi të reagojë me një fjalim të gjatë sot, ku para deputetëve të PS dhe ministrave të tij, dënoi dhunën ndaj protestuesit dhe kritikoi reagimin e Policisë së Shtetit.
Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e fjalës së tij iu kushtua një teme tjetër: Greqisë. Kjo ka ngritur një pyetje që është bërë objekt diskutimi në rrjetet sociale dhe në opinionin publik: a po përpiqet Rama të ndryshojë terrenin e debatit, duke e zhvendosur atë nga protestat dhe projekti në Zvërnec drejt një përplasjeje politike me Greqinë?
Rama u shpreh i habitur nga mbulimi që mediat greke i kanë bërë protestave dhe nga deklarata e Ministrisë së Jashtme greke. Ai pyeti retorikisht se si mund të ndodhë që gazetat greke të mbështesin kauzën e protestuesve shqiptarë dhe la të kuptohet se këtu ekziston një kontradiktë që qytetarët duhet ta analizojnë.
“Si mund të jem unë kundër jush dhe kundër vetes dhe si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë?”, u shpreh Rama.
Pikërisht ky fragment ka prodhuar interpretimet më të shumta.
Një grup mbështetësish të kryeministrit argumentojnë se Rama thjesht po i përgjigjet një ndërhyrjeje të jashtme. Sipas tyre, deklarata e Athinës dhe përfshirja e mediave greke në debat e justifikojnë reagimin e tij. Në këtë këndvështrim, kryeministri po përdor të njëjtën logjikë politike që shpesh përdoret në rajon: “plumbit me plumb”, duke iu kundërpërgjigjur presionit të jashtëm dhe nacionalizmit grek, me një diskurs të fortë kombëtar.
Ndërsa kritikët e shohin ndryshe. Sipas tyre, problemi kryesor nuk është Greqia. Problemi është ajo që ndodhi në Zvërnec: dhuna ndaj protestuesve, dyshimet për ndikimin mjedisor të projektit, debati mbi pronësinë e tokave dhe transparenca e procesit. Në këtë këndvështrim, futja e Greqisë në debat shërben si një mënyrë për të zhvendosur fokusin nga pyetjet e pakëndshme që po i drejtohen qeverisë.
Për kritikët, kur opinioni publik po diskuton mbi një incident të ndodhur brenda vendit, çdo përpjekje për ta kthyer debatin drejt faktorëve të jashtëm rrezikon të shihet si një strategji klasike politike për të bashkuar mbështetësit përmes ndjenjave patriotike.
Edhe vetë Rama duket se i referohet këtij mekanizmi kur flet për manipulimin e opinionit publik dhe përmend filmin “Wag the Dog”, ku një konflikt i sajuar përdoret për të tërhequr vëmendjen nga problemet e brendshme.
Paradoksi është se kundërshtarët e tij po përdorin të njëjtin argument në drejtim të kundërt: ata pyesin nëse nuk është pikërisht qeveria që po përpiqet të krijojë një debat paralel me Greqinë për të larguar vëmendjen nga kriza politike e krijuar pas protestave.
Në fund, mbetet një fakt i padiskutueshëm. Debati publik që nisi nga një projekt turistik dhe nga një incident i rëndë me një protestues, sot po zhvillohet në dy fronte: njëri lidhet me projektin, mjedisin dhe pronësinë; tjetri me marrëdhëniet Shqipëri-Greqi dhe ndërhyrjet e perceptuara nga jashtë.
Nëse kjo ishte një strategji e qëllimshme politike apo thjesht një reagim ndaj zhvillimeve të fundit, është një pyetje që secili e interpreton sipas bindjeve të veta. Por një gjë është e qartë: duke futur Greqinë në qendër të diskutimit, Rama ka arritur ta zgjerojë debatin shumë përtej kufijve të Zvërnecit.
Çfarë po ndodh
Ditët e fundit ka patur protesta të vazhdueshme kundër investimit të huaj në Zvërnec. Gjatë fundjavës ato precipituan në akte dhune ndaj shoqërisë civile.
Protesta mbrëmë u zhvendos në Tiranë duke mbledhur mijëra njerëz të cilët paralajmëruan se do të mblidhen sërish sonte duke kërkuar tërheqjen e Ramës nga projekti i Zvërnecit dhe largimin e tij.
Njerëzit duket se janë të ndarë në mënyrën si e shohin ata fjalimin e gjatë të Ramës dhe ndaljen e tij te Greqia. Sipas tyre, një dozë nacionalizmi duke sulmuar Greqinë, funksionon si antidot përballë nacionalizmit të protestuesve.
Pjesa e plotë e Ramës ku flet për Greqinë
Po si mund të jem unë njëherë kundër jush dhe kundër vetes dhe si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë? Pyeteni veten, si ndodh kjo? Gazetat greke që janë mbushur sot të gjitha me kauzën tuaj. Ka diçka këtu që nuk shkon? Apo u gjet ‘’tradhtari’’, u gjet ‘’shitësi’’ i atdheut, u gjet ‘’i korruptuari’’ dhe ai është kryeministri juaj!
Thënë këto dhe ndjesë nëse jam shumë i drejtpërdrejtë dhe mbase edhe emocional, por kjo është ndjesia ime sepse për mua këto janë ditë shumë të habitshme. Janë ditë të habitshme që për herë të parë më kanë bërë të mendoj edhe që t’ju përulem thellë për nderin e madh që më keni bërë dhe t’ju kërkoj ndjesë për të ikur në katund dhe për t’ju lënë në duart që do zgjidhni vetë pastaj, për të mbrojtur Shqipërinë nga të huajt, por kam zgjedhur të bëj atë që kam bërë gjithmonë, t’ju udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua po aq sa ju dhe e dua po ashtu siç e doni dhe ju dhe t’ju udhëheq për ta përmbyllur këtë që kemi nisur bashkërisht, falë votës suaj, me të cilin ia kemi ngritur kokën çdo shqiptari kudo ku është, me të cilën i kemi dhënë vlerën që ka flamurit tonë në sytë e të huajve dhe me të cilën unë dua ta bëj Shqipërinë vendin që të ketë destinacionin më për t’u pasur zili në Mesdheun e sotëm dhe ky projekt është pjesë e kësaj përpjekjeje.
Nga ana tjetër, a ka pretendime për pronësi mbi atë territor? Për herë të parë, dje, dëgjova që aty paska një popullsi homogjene greke. Këtë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë, ndoshta ngaqë jam injorant dhe nuk i di shumë gjëra. U mahnita nga deklarata e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, sepse ishte një akt dhune pa diskutim, por nuk ishte një akt dhune shtetërore, siç për shembull ndodh me shqiptarët në burgjet e Greqisë ose siç ka ndodhur më parë me shqiptarë edhe në rrugët e Greqisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





