Transmetuar më 31-05-2026, 22:07

Gazetarja e kronikës, Anila Hoxha, analizon ngjarjen e Zvërnecit dhe kritikon faktin se pati një  reagim zyrtar për protestuesit, por nuk u tha asnjë fjalë për strukturën paramilitare!

Një drejtor policie, ai i Vlorës, u shkarkua se gënjeu kur tha se protestuesi u fut me forcë në zonën e ndërtimit, por e vërteta e pranuar ishte ndryshe.

Por Policia e Shtetit dhe Policia e Vlorës duhet të flasin jo vetëm për ata që ishin jashtë gardhit. Duhet të flasë sidomos për ata që ishin brenda gardhit, thotë Anila Hoxha dhe sqaron më tej:

"Sepse sot, ajo që pretendohet se ishte një “polici private” që ruante pronën, u soll si një strukturë paramilitare, me organizim dhe veprim të ngjashëm me formacione ushtarake ndaj një proteste qytetare.

U rrëmbye dhe u mbajt peng një shtetas. Nëse kjo provohet, kemi të bëjmë me veprën penale të heqjes së paligjshme të lirisë. Ai u mbajt brenda ambienteve private dhe dhuna ndaj tij, sipas pamjeve të publikuara, ishte evidente. Nuk mund të thuhet në asnjë mënyrë se konflikte të tilla civile zgjidhen nga individë privatë. Policia ka detyra të qarta ligjore, duhet të jetë e paanshme dhe, mbi të gjitha, të garantojë jetën dhe lirinë e qytetarëve shqiptarë.

E ashtuquajtura “polici private” dhe personat e maskuar vepruan si një strukturë paralele ndaj shtetit, duke përdorur spraj irritues, ndonëse protokollet e përdorimit të mjeteve të tilla parashikojnë përdorimin e tyre vetëm në raste të caktuara dhe kur rreziku nuk mund të shmanget me forma të tjera".

Lidhur me skandalin e Zvërnecit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha sot se u arrestua Gerald Biba, punonjësi i shoqërisë private të sigurisë së kantierit që goditi me grusht shtetasin E. S.

Ndërkohë, nisi hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë, në lidhje me masat dhe menaxhimin e tubimit të zhvilluar ditën e djeshme.

Gerald Biba, 32 vjeç, banues në Durrës, i cili, në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestua në flagrancë, u procedua penalisht nga policia për veprat penale "Heqja e paligjshme e lirisë" dhe "Plagosja e lehtë me dashje".

Biba ka goditur me grusht shtetasin E. S. dhe më pas, në bashkëpunim me shtetasit A. G. dhe G. V. (të dy të proceduar penalisht), e kanë tërhequr me forcë drejt vendit të rezervuar për rojet, duke i shkaktuar dëmtime trupore.

U rrahën dhe policët e Shtetit?

Anila Hoxha sjell në vëmendje raportimet në media se është ushtruar dhunë edhe ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit nga kjo strukturë paralele.

Për këtë arsye, thotë ajo, autoritetet duhet të informojnë me urgjencë dhe transparencë: kur janë njoftuar për ngjarjen, çfarë masash kanë ndërmarrë, kujt i përket prona, kush janë personat e maskuar dhe mbi çfarë baze ligjore kanë vepruar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit