

Greqi / Maqedoni e Veriut – Autoritetet greke kanë ndërmarrë një paketë masash për të përshpejtuar procedurat në pikat kufitare me Maqedonia e Veriut, me qëllim shmangien e radhëve të gjata dhe vonesave që janë krijuar për shkak të fluksit të lartë të udhëtarëve në prag të sezonit veror.
Masat fokusohen kryesisht në përmirësimin dhe forcimin e sistemeve informatike në pikat kufitare Evzoni dhe Dojran, me synim realizimin më të shpejtë të kontrolleve dhe lehtësimin e qarkullimit të automjeteve dhe udhëtarëve.
Sipas mediave, shkak kryesor i ngadalësimeve është zbatimi i sistemit të ri evropian Entry/Exit System (EES), i cili parashikon verifikime elektronike dhe biometrike për të gjithë udhëtarët që hyjnë në zonën e Shengenit. Ky proces, veçanërisht për hyrjet e para, kërkon regjistrim të të dhënave dhe identifikim biometrik, duke rritur kohën e pritjes në kufi.
Zyrtarët maqedonas dhe grekë kanë zhvilluar takime për koordinimin e masave, ku është theksuar nevoja për përmirësim të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe menaxhim më efikas të fluksit të madh të udhëtarëve dhe tregtisë.
Zëvendësministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Konstantinos Gulekas, ka deklaruar se rritja e lëvizjes turistike dhe kontrollet e reja të BE-së po krijojnë vonesa të konsiderueshme, duke bërë të domosdoshëm koordinimin e mëtejshëm mes palëve.
Ndërkohë, ministri grek për Mbrojtjen e Qytetarëve, Mihalis Hrisohodis, ka theksuar se Greqia është e detyruar të zbatojë rregulloret evropiane, ndërsa ka pranuar se infrastruktura e vjetëruar në disa pika kufitare mbetet një nga sfidat kryesore.
Masat e reja pritet të hyjnë në fuqi menjëherë, në përpjekje për të shmangur përsëritjen e radhëve kilometrike të viteve të fundit gjatë sezonit turistik veror.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





