

Prishtinë – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, deklaroi nga Prishtina se Kosova mbetet prioritet absolut i politikës së jashtme shqiptare, duke theksuar se siguria dhe stabiliteti i saj janë të lidhura ngushtë me interesat kombëtare të Shqipërisë.
Në një konferencë të përbashkët për mediat me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, Hoxha përcolli mesazhin se “kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të koordinimit politik dhe diplomatik mes dy vendeve.
Gjatë takimit, të dy zyrtarët diskutuan mbi sfidat rajonale dhe zhvillimet globale, duke vlerësuar se bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet Shqipëri dhe Kosovë është i domosdoshëm për ruajtjen e stabilitetit dhe avancimin e interesave të përbashkëta.
Konjufca theksoi se anëtarësimi i vendeve të rajonit në NATO ka kontribuar në forcimin e sigurisë rajonale dhe kërkoi mbështetjen e Tiranës për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në aleancë. Ai gjithashtu vuri theksin te nevoja për bashkëpunim më të madh në mbështetjen e diasporës shqiptare dhe harmonizimin e sistemeve arsimore mes dy vendeve.
Nga ana e tij, Hoxha deklaroi se Kosova ka qenë pjesë e angazhimit të tij diplomatik gjatë gjithë karrierës dhe e cilësoi vizitën e tij të parë zyrtare në Prishtinë si ministër të Jashtëm një moment të veçantë.
Sipas tij, palët ranë dakord që zhvillimet e reja gjeopolitike në rajon dhe në Evropë kërkojnë intensifikim të koordinimit ndërqeveritar dhe diplomatik, si dhe përgatitje të përbashkët për takimet e ardhshme mes dy qeverive.
Kryediplomati shqiptar theksoi gjithashtu se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të përkthehet në më shumë lehtësi për qytetarët dhe bizneset, duke reduktuar procedurat burokratike dhe duke forcuar koordinimin mes institucioneve dhe përfaqësive diplomatike të dy vendeve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





