

Tiranë – Aktori Indri Shiroka ka reaguar pas daljes së tij nga reality show “Ferma VIP 3”, duke ndarë reflektime mbi eksperiencën në program dhe marrëdhëniet e krijuara gjatë qëndrimit në fermë.
Shiroka u eliminua pasi nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme të publikut për të vijuar garën, ndërsa pas largimit deklaroi se e kishte pritur me qetësi përfundimin e rrugëtimit të tij.
“U ezaurova komplet”, u shpreh ai, duke shtuar se nuk e përjetoi me keqardhje eliminimin, pasi ndjente lodhje nga dinamika e formatit.
Aktori u ndal edhe te raporti me Klevisën, duke pranuar se ka reflektuar mbi disa situata të krijuara gjatë spektaklit. Ai tha se i ka kërkuar falje, duke e konsideruar sjelljen e tij si rezultat i një momenti emocional.
“Jam penduar, i kam kërkuar falje Klevisës”, deklaroi Shiroka.
Ndërkohë, i pyetur për marrëdhënien me Vanesën dhe mundësinë e një rikthimi pas përfundimit të programit, aktori u tregua i prerë duke përjashtuar çdo zhvillim të mëtejshëm mes tyre.
“Jo, nuk ka gjasa”, tha ai.
Shiroka hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se raportet e krijuara në fermë kanë qenë pjesë e një strategjie loje, duke theksuar se ka vepruar sipas ndjenjave dhe jo kalkulimeve për lojën.
“Nuk di të bëj lojë, e kam paguar naivitetin tim”, u shpreh ai.
Pavarësisht përfundimit të rrugëtimit në reality show, aktori tha se largohet me ndërgjegje të qetë dhe bindjen se ka qenë vetvetja gjatë gjithë eksperiencës së tij në “Ferma VIP 3”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





