Transmetuar më 30-05-2026, 18:33

Një kapitull i ri politik për shqiptarët në Mal të Zi u hap këtë të shtunë në Tuz, ku u shpall zyrtarisht krijimi i Forumit Shqiptar, subjektit të ri të dalë nga bashkimi i tre forcave politike shqiptare.

Ceremonia u zhvillua në sallën e Këshillit Komunal të Tuzit, në praninë e drejtuesve politikë dhe përfaqësuesve institucionalë, ndërsa nisma u prezantua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të unitetit dhe përfaqësimit politik të shqiptarëve në Mal të Zi.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Nik Gjeloshaj, i cili së bashku me bashkëpunëtorët e tij prezantoi objektivat e subjektit të ri politik.

Përfaqësuesit e Forumit Shqiptar e cilësuan bashkimin si një marrëveshje historike, duke theksuar se ai synon të garantojë një përfaqësim më të fortë dhe më të qëndrueshëm të shqiptarëve në të gjitha zonat ku ata jetojnë në Mal të Zi.

“Përmes bashkëpunimit tonë kemi arritur disa nga rezultatet më historike për shqiptarët në Mal të Zi. Sot kemi vendosur të shkojmë një hap më tej, duke krijuar një subjekt të vetëm politik për të ardhmen dhe për brezat që do të vijnë”, deklaroi Gjeloshaj.

Sipas tij, Forumi Shqiptar përfaqëson një model të ri organizimi politik, i cili synon të forcojë zërin e komunitetit shqiptar në institucionet shtetërore dhe në proceset vendimmarrëse.

Duke folur për rëndësinë e unitetit politik, Gjeloshaj theksoi se bashkimi është çelësi për realizimin e objektivave kombëtare dhe integruese.

“Pa unitet, pa unifikim dhe pa strategji të përbashkët është shumë më e vështirë të arrihen qëllimet. Sa më unikë të jemi, aq më i fortë do të jetë përfaqësimi ynë dhe aq më të shpejta do të jenë proceset që lidhen me të ardhmen europiane të shqiptarëve kudo që jetojnë”, u shpreh ai.

Krijimi i Forumit Shqiptar konsiderohet një nga zhvillimet më të rëndësishme politike të viteve të fundit për komunitetin shqiptar në Mal të Zi, me synimin për të konsoliduar përfaqësimin politik dhe për të rritur ndikimin e shqiptarëve në jetën institucionale dhe publike të vendit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit