Transmetuar më 30-05-2026, 18:25

Ish-piloti i Formula 1, Ralf Schumacher, po përgatitet të kurorëzojë dashurinë e tij me partnerin Étienne Bousquet-Cassagne, në një ceremoni që do të zhvillohet këtë fundjavë në Saint-Tropez të Francës.

Vëllai më i vogël i legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, konfirmoi zyrtarisht fejesën përmes një postimi të përbashkët në Instagram, duke ndarë lajmin e shumëpritur me ndjekësit e tij.

Çifti publikoi një fotografi ku shfaqen të buzëqeshur duke ngritur gotat për një dolli, ndërsa në mesazhin e tyre shprehën lumturinë për mbështetjen dhe urimet e shumta që kanë marrë.

Sipas mediave të huaja, ceremonia e martesës do të mbledhë rreth 110 të ftuar. Mes tyre do të jenë edhe ish-bashkëshortja e Ralf Schumacher, Cora Schumacher, si dhe djali i tyre, David Schumacher. Ky i fundit ka zbuluar se për të gjithë të ftuarit është vendosur një kod i veçantë veshjeje për ditën e madhe.

Martesa do të pasqyrohet edhe në një dokumentar televiziv me titull “Ralf & Étienne: We Say Yes”, i cili do të transmetohet nga Sky Deutschland dhe platforma WOW. Dokumentari do të ndjekë çiftin gjatë përgatitjeve për ceremoninë, por edhe në jetën e tyre të përditshme në jug të Francës.

Partneri i Schumacher, Étienne Bousquet-Cassagne, përpara se të angazhohej në biznes, ka qenë aktiv në politikën franceze dhe ka pasur lidhje me Frontin Kombëtar, partinë e Marine Le Pen.

Ralf Schumacher bëri publike lidhjen e tij me Étienne Bousquet-Cassagne në korrik të vitit 2024, duke u bërë një nga figurat e pakta të Formula 1 që ka folur hapur për orientimin e tij seksual. Që prej asaj kohe, çifti ka ndarë shpesh momente nga jeta e tyre së bashku, ndërsa tani janë gati të hedhin hapin më të rëndësishëm në marrëdhënien e tyre.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit