

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, ka reaguar pas debatit publik të krijuar rreth udhëzuesit për terapinë hormonale, duke sqaruar se dokumenti i publikuar nuk përbën një protokoll trajtimi, por një udhëzues orientues i bazuar në praktika dhe rekomandime ndërkombëtare.
Në një intervistë për A2 CNN, Tomini shpjegoi se dokumenti është hartuar nga Shërbimi Universitar i Endokrinologjisë pranë Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza dhe synon të shërbejë si referencë profesionale për personelin mjekësor në trajtimin dhe këshillimin e rasteve që kërkojnë vlerësim endokrinologjik.
Sipas saj, një nga elementet kryesore të udhëzuesit është koncepti i pëlqimit të informuar, i cili, siç theksoi, lidhet ekskluzivisht me persona madhorë.
“Pëlqimi individual jepet nga një individ adult. Mosha adulte është mbi 18 vjeç dhe udhëzuesi reflektohet vetëm për këtë grupmoshë”, deklaroi Tomini.
Zëvendësministrja shtoi se dokumenti nuk përmban referenca konkrete për medikamente hormonale apo protokolle të detajuara terapeutike, pasi, sipas saj, bëhet fjalë për një dokument orientues dhe jo për një akt zbatues klinik.
Ajo theksoi gjithashtu se hartimi i udhëzuesit është pjesë e procesit të përafrimit të standardeve dhe praktikave shëndetësore shqiptare me direktivat dhe politikat e Bashkimi Evropian.
“Ne nisemi nga direktivat e Bashkimit Evropian dhe nga procesi i harmonizimit të legjislacionit e standardeve tona me ato evropiane, në kuadër të integrimit të vendit”, u shpreh Tomini.
Sipas saj, dokumenti ka kaluar procedurat e vlerësimit institucional dhe profesional përkatës, përfshirë strukturat e akreditimit, ndërsa çdo hap i mëtejshëm për zbatimin e tij do të kërkojë procedura dhe instrumente të tjera administrative.
Deklarata e zëvendësministres vjen pas reagimeve të shumta publike dhe debatit të hapur mbi përmbajtjen e udhëzuesit, veçanërisht në lidhje me referencat që lidhen me moshat dhe mundësinë e përdorimit të terapisë hormonale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





