

Kompania “MABCO Constructions SA”, në pronësi të biznesmenit shqiptar nga Kosova, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se do të rifillojë punën me kapacitet të plotë për përfundimin e Aeroportit të Vlorës, pas vendimit të Gjykatës së Lartë në lidhje me çështjen e aksioneve mes palëve.
Përfaqësuesja e kompanisë, Ornela Çuçi, tha se zhvillimet e fundit gjyqësore kanë rikthyer, sipas saj, “normalitetin” në projekt, duke e cilësuar situatën e mëparshme si rezultat i vendimeve “paradoksale” të gjykatave.
“Më në fund u kthye normaliteti në aeroport. Nuk duhej të kishim ardhur kurrë në këtë pikë. E gjithë çështja lidhet me 47 për qind të aksioneve,” u shpreh Çuçi.
Ajo shtoi se kompania do të vijojë punimet për ta përfunduar sa më shpejt aeroportin, pa dhënë një datë konkrete për inaugurimin, por duke theksuar se në kantier aktualisht janë rreth 200 punëtorë.
Sipas saj, projekti po vijon pavarësisht vështirësive të hasura gjatë periudhës së konfliktit mes aksionarëve.
“Nuk mund ta them një datë. Por sapo të kemi mundësinë e plotë operacionale, do të vijojmë me përshpejtim të punimeve,” deklaroi ajo.
Më tej, përfaqësuesja e “MABCO” u shpreh se aeroporti i Vlorës nuk do të jetë sezonal, por do të funksionojë gjatë gjithë vitit, 12 muaj.
Ajo deklaroi gjithashtu se është planifikuar një linjë direkte Vlorë–Nju Jork, e cila sipas saj do të realizohet pas përfundimit të punimeve dhe vënies në funksion të aeroportit.
“Është bërë një ndërhyrje në projekt, duke shtuar kapacitete shtesë, në mënyrë që fluturimi i parë të jetë Vlorë–Nju Jork,” u shpreh Çuçi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





