

EMRAT/ Arrestohen në Greqi pas plagosjes së një pakistanezi, kush janë dy të rinjtë nga Saranda
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me arrestimin e katër personave pas plagosjes së një shtetasi pakistanez në Athinë, ngjarje që u pasua nga një ndjekje spektakolare e policisë greke në rrugët e kryeqytetit.
Mes të arrestuarve ndodhen edhe dy shtetas shqiptarë nga qarku i Vlorës. Bëhet fjalë për Gjerasimo Korkutin, 31 vjeç, banues në fshatin Gjashtë të Sarandës, dhe Andi Beqirin, 27 vjeç, nga Konispoli.
Ky i fundit u arrestua për herë të parë si i mitur në vitin 2016, ndërsa në vitin 2018 u arrestua për tentativë vjedhjeje në metro. Më pas në gusht 2020 për vjedhje nga një automjet dhe në dhjetor të po atij viti për grabitje me thikë.
Në shtator 2022, u arrestua për dy vrasje së bashku me një tjetër grek i cili u akuzua si truri i një vrasjeje, ndërsa dy kallashnikovë dhe një numër plumbash u gjetën në makinën me të cilën po udhëtonin.
Personi tjetër i arrestuar, gjithashtu me origjinë shqiptare, nuk mbetet pas në arrestime, me aktivitetin e tij kriminal që daton që nga viti 2015, kur u akuzua për herë të parë, ndërsa gjatë viteve është arrestuar gjithsej pesë herë të tjera për vjedhje, grabitje dhe mashtrim, dhe në maj 2024 u la në paraburgim.
Sipas mediave greke, bashkë me dy shqiptarët është arrestuar edhe një shtetas grek 30-vjeçar, i njohur për autoritetet për shkak të precedentëve të shumtë penalë. Hetuesit dyshojnë se ai ka qenë autori kryesor i plagosjes së pakistanezit, pasi dyshohet se ka hyrë i maskuar në dyqanin e tij së bashku me një nga shqiptarët.

30-vjeçari P.K. me origjinë greke
Ky është një burrë 30-vjeçar i cili, në tetor 2022, plagosi rëndë me thikë biznesmenin 60-vjeçar Jani Marku, jashtë një mense në Varibombi, sepse… priste në radhë.
Sulmi i egër ndaj biznesmenit jashtë një mense në Varibombi ndodhi sepse 60-vjeçari Jani Marku i bëri një vërejtje sepse nuk priti radhën e tij për të porositur.
Greku është gjithashtu midis të akuzuarve për sulmin vrasës nga tifozët e Olympiacos ndaj oficerëve të policisë së trazirave në stadiumin Rentis, i cili rezultoi në plagosjen fatale të oficerit të policisë së skuadrës, Giorgos Lygeridis.
Një person i katërt, i dyshuar gjithashtu si shtetas shqiptar, ka arritur të largohet pas ngjarjes dhe aktualisht është në kërkim nga policia greke.
I arrestuari nga Konispoli rezulton i njohur për autoritetet greke
Emri i Andi Beqirit nuk është i panjohur për policinë greke. Në shtator të vitit 2022 ai ishte arrestuar në zonën e Haidarit në Athinë, gjatë një operacioni ku në automjetin me të cilin udhëtonte u gjetën dy armë automatike kallashnikov dhe dy krehëra me rreth 90 fishekë.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia kishte gjetur gjithashtu dy bileta udhëtimi që lidhnin rastin me qytetin e Igumenicës, pranë kufirit me Shqipërinë.
Në atë operacion ishte arrestuar edhe Viktor Cala, 41 vjeç, i cili rezultonte person në kërkim nga drejtësia greke. Ai dyshohej si autor i një vrasjeje ndaj një shtetasi rom dhe i një tentative vrasjeje ndaj një shtetasi shqiptar.
Sipas hetimeve të asaj kohe, vrasja dyshohej se ishte urdhëruar nga Klod Cara, i njohur edhe me identitetin Klodian Lekocaj, një 49-vjeçar nga Berati, i burgosur prej vitesh në Greqi dhe i akuzuar si organizator i disa krimeve të rënda, përfshirë vrasje dhe atentate.

Dyshimet për larje hesapesh
Lidhur me plagosjen e pakistanezit në zonën e Patisias në Athinë, policia greke po heton pistën e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale.
Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar kryesor, 30-vjeçari grek, ka qenë i përfshirë edhe më herët në ngjarje të rënda kriminale, përfshirë plagosjen me thikë të një biznesmeni dhe një vrasje të lidhur me përplasjet mes grupeve të tifozëve në Greqi.
Si ndodhi ngjarja

Pamjet e kamerave të sigurisë kapin autorët duke ikur me vrap pas tentativës së grabitjes në Patision
Sipas hetuesve, 30-vjeçari grek dhe një nga shqiptarët kanë hyrë në dyqanin e shtetasit pakistanez me fytyrat e mbuluara me maska kirurgjikale. Pas sulmit, ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Jashtë dyqanit i priste një automjet tip BMW, me të cilin grupi tentoi të largohej. Gjatë ndjekjes nga policia, automjeti u përfshi në disa përplasje me mjete të tjera në rrugët e Athinës, derisa efektivët arritën ta neutralizonin dhe të arrestonin tre prej të dyshuarve.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personit të katërt të përfshirë vijojnë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





