

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar lidhur me diskutimet mbi terapinë hormonale për personat transgjinorë në QSUT, duke sqaruar se dokumenti i publikuar është një udhëzues orientues klinik dhe jo një protokoll përfundimtar terapeutik.
Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, deklaroi se udhëzuesi është hartuar mbi bazën e praktikave dhe rekomandimeve ndërkombëtare, si edhe pas vlerësimit nga një ekip multidisiplinar specialistësh.
“Çdo rast vlerësohet individualisht nga ky ekip multidisiplinar dhe nëse paraqet patologji të caktuara, përjashtohet nga ky udhëzim”, u shpreh Tomini.
Sipas saj, dokumenti synon të orientojë profesionistët e shëndetësisë në procesin e rekomandimit të terapisë hormonale për individët që referohen për këtë shërbim.
Zv.ministrja theksoi se udhëzuesi nuk rekomandon nisjen e trajtimit në fëmijëri dhe se ai i referohet vetëm personave adultë, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbi bazën e konsentit individual të informuar.
Në lidhje me çështjen e rimbursimit, Tomini sqaroi se dokumenti nuk përcakton skema rimbursimi për medikamentet hormonale.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dokumenti përfshin rekomandime të përgjithshme dhe tipe të ndryshme të terapive hormonale, të mbështetura në praktikat klinike ndërkombëtare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





