Transmetuar më 29-05-2026, 12:23

TIRANË, 29 Maj 2026 – Këngëtarja e njohur Soni Malaj ka thyer heshtjen duke folur për herë të parë hapur mbi arsyet e vërteta që çuan në përfundimin e historisë së saj të dashurisë me kantautorin Flori Mumajesi. Gjatë një bisede me konkurrentët e tjerë në spektaklin “Ferma VIP”, ajo u ndal te periudha e fejesës së tyre dhe vëmendja e jashtëzakonshme mediatike që, në fund, u kthye në shkatërruese për çiftin.

Malaj tregoi se gjatë viteve të lidhjes së tyre (2005–2009), kurioziteti i publikut dhe i mediave të shkruara ishte në nivele ekstreme, aq sa jeta e tyre private përfundonte çdo ditë në faqet e para të gazetave. Ky monitorim i vazhdueshëm krijoi një presion psikologjik mjaft të rëndë mbi të dy artistët.

"Ndarja e rreme" për t’i shpëtuar gazetave

Për të ilustruar situatën e vështirë, këngëtarja rrëfeu një prapaskenë të patreguar më parë, kur ata vendosën të inskenonin një ndarje të rreme, duke gënjyer madje edhe njerëzit e tyre më të afërt familjarë, vetëm për të larguar vëmendjen e opinionit publik:

"Bëmë ne një ndarje, gjoja, por edhe familjarëve u thamë ‘jemi ndarë’. Por duke dalë nga avioni dikush na bëri foto dhe lajmi u shpërnda menjëherë, doli në titrat e televizioneve informative. Shkuam në një restorant shumë të njohur dhe kur arritëm, të gjithë klientët ishin me sytë nga televizori duke parë lajmin tonë dhe u kthyen nga ne. U detyruam të uleshim diku në një cep", u shpreh ajo.

Mungesa e eksperiencës për të menaxhuar famën

Soni Malaj pranoi se në atë kohë, ndryshe nga sot ku artistët janë mësuar me portalet dhe rrjetet sociale, ekspozimi i vazhdueshëm në media ishte i papërballueshëm. Ajo konfirmoi se kur e kanë ridiskutuar këtë temë vite më vonë me Florin, të dy kanë rënë dakord se shkaku kryesor i ndarjes nuk ishin ndjenjat, por pamundësia për të menaxhuar atë presion të jashtëzakonshëm.

"Ne na është nxirë jeta. Shkaku kryesor pse jemi ndarë ka qenë ky presion. Kur e kemi ridiskutuar këtë gjë, se cila ishte arsyeja pse jemi ndarë, ishte pikërisht presioni shumë i madh. Nuk dinim ta menaxhonim", përfundoi rrëfimin e saj këngëtarja.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit