Transmetuar më 28-05-2026, 22:30

Një buall albino në Bangladesh është kthyer në një atraksion të veçantë për publikun, pasi u shpëtua nga therja dhe u transferua në Kopshtin Zoologjik Kombëtar Mirpur në Daka.

Kafsha, e cila peshon rreth 700 kilogramë, ka tërhequr vëmendjen për shkak të modelit të pazakontë të qimeve në kokë, që sipas vizitorëve ngjan me stilin karakteristik të flokëve të presidentit amerikan Donald Trump. Për këtë arsye, bualli është pagëzuar me emrin “Donald Trump”.

Sipas mediave lokale, bualli fillimisht ishte planifikuar të therrej për festën e Bajramit, por në momentet e fundit autoritetet vendosën ta shpëtonin pas interesit të madh publik dhe shqetësimeve për sigurinë.

Ministri i Brendshëm i Bangladeshit, Salahuddin Ahmed, urdhëroi anulimin e therjes dhe kompensimin financiar të blerësit, ndërsa kafsha u transferua në kopshtin zoologjik kombëtar.

“Në momentin e fundit u vendos që bualli të mos flijohej, për shkak të interesit të pazakontë të publikut dhe çështjeve të sigurisë”, deklaroi një zyrtar i ministrisë për mediat vendase.

Bualli ishte rritur në një fermë në Narayanganj, pranë Dakës, dhe që prej transferimit të tij në kopshtin zoologjik është bërë një nga atraksionet më të vizituara.

Vizitorë të shumtë kanë mbërritur në Kopshtin Zoologjik Mirpur vetëm për të parë nga afër kafshën e pazakontë. “Erdha në kopshtin zoologjik vetëm për të parë Donald Trumpin”, është shprehur një 10-vjeçar për mediat lokale.

Autoritetet e kopshtit zoologjik kanë vendosur edhe një tabelë identifikuese pranë kafshës, ku shkruhet: “Bufali i Bardhë – Donald Trump”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit