

Kapiteni i Zvicrës dhe një nga futbollistët më të njohur shqiptarë në arenën ndërkombëtare, Granit Xhaka, ka bërë një hap të ri jashtë fushës së blertë, duke hyrë zyrtarisht edhe në botën e filmit.
Mesfushori shqiptar është bërë pjesë e filmit të shkurtër western me titull “The Socceritos”, ku interpreton përkrah legjendës së njohur të kinemasë italiane, Terence Hill.
Projekti ka tërhequr menjëherë vëmendjen e mediave sportive dhe të artit, pasi bashkon emra të njohur të futbollit dhe ekranit në një produksion me frymë western. Përveç Granit Xhakës, në film marrin pjesë edhe futbollisti zviceran Zeki Amdouni dhe modelja e njohur kroate, njëkohësisht futbolliste, Ana Maria Markovic.
Xhirimet janë realizuar në Spanjë, në lokacione ikonike të përdorura ndër vite për filmat klasikë western, duke i dhënë projektit atmosferën autentike të këtij zhanri të famshëm kinematografik.
Filmi është promovuar në prag të Kupës së Botës dhe ka marrë jehonë të madhe në Zvicër, Itali dhe në mediat ndërkombëtare sportive, ku paraqitja e Granit Xhakës është komentuar gjerësisht.
Me këtë projekt, Granit Xhaka tregon se po zgjeron profilin e tij edhe jashtë futbollit, duke u angazhuar në projekte artistike dhe mediatike që po tërheqin interes të madh publik.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






