Transmetuar më 28-05-2026, 17:09

Këngëtarja e njohur shqiptare, Soni Malaj, ka ndarë me publikun një nga momentet më të vështira të jetës së saj, gjatë një bisede emocionale në “Ferma VIP”.

Artistja rrëfeu se në fëmijëri ishte përballur me një problem të rëndë shëndetësor, i cili e kishte lënë për një periudhë të paralizuar. Sipas saj, gjithçka kishte nisur kur ishte vetëm 7 ose 8 vjeçe dhe jetonte në Tropojë.

“Kam qenë e paralizuar e vogël. Ka qenë një reumatizëm i shkallës së lartë. Arsyen pse, nuk e di. Nuk ecja dot deri në shkollë fillore”, u shpreh këngëtarja.

Soni tregoi se kishte kaluar periudha të vështira në spital, nën kujdesin e mjekëve dhe mbështetjen e vazhdueshme të familjarëve. Ajo shtoi se pas trajtimeve kishte nisur të përmirësohej, por gjendja iu rëndua sërish gjatë një udhëtimi familjar në Valbonë.

“Shkuam në Valbonë për fundjavë. Futja e këmbëve në ujë të ftohtë ma riktheu menjëherë problemin dhe u paralizova sërish”, rrëfeu artistja.

Mes emocionesh, këngëtarja kujtoi edhe sakrificat e prindërve dhe të afërmve, të cilët e mbanin në krahë për çdo lëvizje, madje edhe për ta ndihmuar të vazhdonte mësimet me shoqet e klasës.

Rrëfimi i saj preku jo vetëm banorët e “Ferma VIP”, por edhe publikun, duke zbuluar një anë të panjohur të artistes, larg skenës dhe suksesit që e shoqëron prej vitesh.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit