Transmetuar më 28-05-2026, 15:59

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi do të krijojë një strukturë të re sigurie të quajtur xhandarmëri, me qëllim forcimin e kontrollit kufitar dhe luftën kundër kontrabandës.

Gjatë një konference për media, Kurti tha se kjo njësi do të ketë një mandat të gjerë operativ, duke përfshirë mbrojtjen e vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas tij, xhandarmëria do të shërbejë si një strukturë e ndërmjetme mes Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke plotësuar boshllëkun në menaxhimin e situatave me rrezik të lartë.

“Me qëllim të adresimit të këtyre sfidave, themelimi i xhandarmërisë si strukturë e re dhe e disiplinuar është domosdoshmëri e kohës, e cila do të plotësojë boshllëkun mes Policisë dhe Ushtrisë së Kosovës”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se kjo strukturë do të ketë kompetenca edhe në operacione kundër grupeve të armatosura dhe paraushtarake, si dhe në parandalimin e kontrabandës ndërkufitare, përfshirë mallrat dhe emigracionin e paligjshëm.

Sipas kryeministrit në detyrë, xhandarmëria do të angazhohet gjithashtu në menaxhimin e situatave të rrezikut të lartë dhe në mbrojtjen e infrastrukturës kritike të vendit.

Kurti theksoi se krijimi i kësaj strukture do të bëhet përmes një ligji të veçantë në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e ardhshme, pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit