Transmetuar më 28-05-2026, 14:13

Dy netët e festivalit do të prezantohen nga këngëtarja Bleona Qereti dhe aktori Nik Xhelilaj, në 6 dhe 7 qershor në Radio Televizionin Shqiptar

Festivali legjendar Kur Vjen Pranvera rikthehet këtë vit në skenën shqiptare pas 36 vitesh mungesë, ndërsa përgatitjet tashmë kanë hyrë në fazën finale. Ndonëse është festival pranveror dhe dikur ishte në muajin prill, vonesat kanë bërë që ai të shfaqet vetëm në qershor.

Orkestra, bendi muzikor dhe artistët po zhvillojnë prova intensive përpara nisjes së festivalit, ku sipas organizatorëve pothuajse gjithçka është gati për dy netët e mëdha që do të transmetohen në Radio Televizioni Shqiptar më 6 dhe 7 qershor 2026.

Një nga surprizat më të mëdha të këtij edicioni është prezantimi i festivalit nga Bleona Qereti dhe Nik Xhelilaj, të cilët do të ngjiten së bashku në skenë për të drejtuar kompeticionin muzikor që pritet të sjellë një frymë të re në muzikën shqiptare.

Drejtori artistik Alfred Kaçinari është shprehur se këtë vit festivali dominohet nga artistët e rinj dhe nga krijime muzikore të zhanreve të ndryshme. Sipas tij, prurjet artistike janë të freskëta, moderne dhe shumë të perceptueshme për publikun.

“Prurjet artistike janë dukshëm të dominuara nga të rinjtë. Ne jemi shumë të kënaqur për këtë gjë sepse këngët janë shumë të perceptueshme. Janë të stileve dhe zhanreve të ndryshme dhe ka një larmi të konsiderueshme. Përgjithësisht interpretuesit janë shumë të mirë dhe ne besojmë se ata garantojnë të ardhmen”, është shprehur Kaçinari.

Ai ka treguar gjithashtu se kjo është një nga fazat më intensive dhe interesante të punës, pasi në prova janë bashkuar të gjithë elementët artistikë, nga orkestra deri te këngëtarët pjesëmarrës.

Sipas tij, provat do të vijojnë deri të premten, ndërsa më 3 qershor i gjithë stafi artistik do të transferohet në skenën e Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, ku do të zhvillohen provat finale përpara nisjes së festivalit.

Rikthimi i “Kur Vjen Pranvera” konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore të këtij viti në Shqipëri, pasi festivali sjell sërish në skenë traditën e kompeticioneve të mëdha muzikore, por me energjinë dhe stilin e artistëve të rinj të kohës.

20 krijimet artistike që do të interpretohen në netët e Festivalit të Pranverës janë të zhanreve të ndryshme muzikore dhe artistët kanë muaj që përgatiten për të ardhur sa më mirë përpara publikut.

Festivali i Pranverës do të mbahet më 6 dhe 7 qershor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit