Transmetuar më 27-05-2026, 23:29

Identifikohet personi i vrarë në Prishtinë, kush ishte Agron Hajdari i njohur si “Radulla”

Është identifikuar viktima e atentatit me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në Prishtinë.

Bëhet fjalë për Agron Hajdarin, i njohur ndryshe me nofkën “Radulla”, i cili mbeti i vrarë pas të shtënave të regjistruara në rrugën “Sali Nivica”, në zonën e Bregut të Diellit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30, ndërsa fillimisht policia konfirmoi vetëm vdekjen e një personi mashkull në vendin e ngjarjes.

Më pas, kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, bëri të ditur identitetin e viktimës, duke konfirmuar se personi i vrarë është Agron Hajdari, i njohur me nofkën “Radulla”.

Hajdari ishte i njohur me nofkën “Radulla” dhe dyshohet se kishte të kaluar të lidhur me veprimtari kriminale, përfshirë edhe narkotikët, shkruajnë mediat e Prishtinës që citon noa.al.

Sipas Policisë së Kosovës, menjëherë pas raportimit për të shtëna me armë zjarri, në vendngjarje kanë dalë njësitet policore dhe ekipi mjekësor, por viktima nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

“Rreth orës 20:30 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Sali Nivica’ në Prishtinë. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e një personi mashkull”, deklaroi zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

Aktualisht autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa ende nuk ka informacion zyrtar mbi autorët apo motivet e atentatit.

Lajmi ka tronditur familjarët, miqtë dhe komunitetin e tifozëve, ndërsa reagim ka pasur edhe nga tifogrupi “Plisat”, ku Hajdari ishte pjesë për më shumë se dy dekada.

Në reagimin e tyre publik, Plisat shkruajnë:

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se ka ndërruar jetë anëtari ynë, Agron Hajdari, Radulla.

Për më shumë se dy dekada ai ishte pjesë e pandashme e tribunës dhe Plisave, duke dhënë gjithçka për qytetin, klubin dhe Kombëtaren në çdo moment. Kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i gjallë. Ngushëllime më të sinqerta për familjen e tij, shokët dhe të gjithë Plisat.

Pusho i qetë Goni! ULTRAS NEVER DIE”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit