Transmetuar më 27-05-2026, 22:59

Evropa po përballet me një valë të jashtëzakonshme të të nxehtit, e cila ka sjellë temperatura rekord për muajin maj në disa shtete, përfshirë Francën dhe Britaninë e Madhe, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për përkeqësim të mëtejshëm të situatës.

Në Britaninë e Madhe dhe u raportuan gjashtë persona të vdekur.

Në Francë, në qytetin port të Saint-Malo në Bretanjë, një zonë zakonisht më e freskët, temperaturat kanë arritur deri në 34°C në hije, ndërsa edhe në Rennes janë regjistruar vlera të ngjashme. Banorët dhe turistët kanë përjetuar netët e para tropikale të vitit, ende pa nisur zyrtarisht vera.

Në Nantes, shërbimi meteorologjik francez ka regjistruar deri në 36°C, ndërsa një ditë më parë u shënua një rekord i ri për muajin maj me 34,3°C. Rekorde të mëparshme janë tejkaluar edhe në qytete si Brest, Angers dhe Bergerac.

Shërbimi meteorologjik Météo-France konfirmon se të hënën janë regjistruar temperaturat më të larta ndonjëherë për muajin maj që nga fillimi i matjeve në vend.

Klimatologët e cilësojnë këtë episod si “historikisht të paprecedent”, duke e lidhur drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike. Sipas tyre, temperatura të tilla në këtë periudhë të vitit nuk do të ishin të mundshme disa dekada më parë.

Ndikimi i valës së të nxehtit është ndjerë edhe në sistemin shëndetësor, ku në disa spitale në Rennes janë raportuar raste të shumta të të moshuarve të dehidratuar. Autoritetet paralajmërojnë për rritje të rrezikut, veçanërisht për grupet vulnerabël dhe personat që ushtrohen fizikisht në ambient të hapur.

Në Britaninë e Madhe, shërbimet meteorologjike kanë shprehur shqetësim për intensitetin e temperaturave, duke e cilësuar situatën si një tjetër dëshmi të ndikimit të ndryshimeve klimatike.

Autoritetet franceze kanë raportuar gjithashtu të paktën shtatë viktima që dyshohet se lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me valën e të nxehtit, përfshirë pesë raste në ujë dhe dy gjatë aktiviteteve sportive.

Situata ka ndikuar edhe në ngjarje sportive, përfshirë turneun e tenisit “French Open” në Paris, ku temperaturat kanë arritur deri në 33°C, duke vështirësuar kushtet për lojtarët dhe spektatorët.

Në disa rajone të Francës është vërejtur edhe përkeqësim i cilësisë së ajrit për shkak të rritjes së nivelit të ozonit, ndërsa autoritetet zjarrfikëse kanë rritur gatishmërinë për shkak të rrezikut të zjarreve në pyje.

Sipas parashikimeve të Météo-France, temperaturat pritet të rriten edhe më tej në ditët në vijim, duke arritur lokalisht deri në 38–39°C në jugperëndim të vendit. Autoritetet kanë paralajmëruar mbledhje emergjente të qeverisë për vlerësimin e situatës dhe masat për përballimin e krizës së të nxehtit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit